Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se zgjedhjet e fundit në Shqipëri u zhvilluan në kushte të pabarabarta dhe të manipuluara nga qeveria, duke theksuar se vëzhguesit ndërkombëtarë i dhanë botës mesazhin se procesi nuk ishte i lirë dhe i ndershëm.
“Ne u angazhuam me të gjitha potencialet tona, sigurisht jo pa gabime, në një betejë me një regjim që nuk pranon kurrë votën e lirë. Vëzhguesit ndërkombëtarë e thanë qartë se zgjedhjet nuk ishin të drejta, se u zhvilluan në kushte të pabarabarta, me përdorim masiv të burimeve të shtetit dhe përfshirjen e grupeve kriminale,” – tha Berisha.
Sipas tij, raporti i misioneve të monitorimit liston problematika të rënda:
përdorimin e 1 miliard eurove për blerje vote,
përfshirjen e karteleve kriminale,
shpërndarjen e 100 eurove për 760 mijë pensionistë,
faljen e qindra milionë eurove gjoba,
shfrytëzimin e 28 mijë hektarëve tokë kanabisi për ndikim elektoral,
organizimin e mbi 4,500 ngjarjeve në shkelje të ligjit zgjedhor.
Berisha tha se raporti ndërkombëtar përshkruan situatën dramatike të medias shqiptare, ku “lajmet dhe editorialet vijnë nga zyrat e qeverisë, pronarët e mediave janë të blerë dhe gazetarët ushtrojnë vetëcensurë, njësoj si në diktaturat totalitare.”
Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Jashtëm për ushtrim presioni ndaj vëzhguesve ndërkombëtarë:
“Rama i ka thirrur personalisht në zyrë dhe i ka kërcënuar, ndërsa ministri i Jashtëm dërgoi letra kërcënuese. Por nuk ia dolën.”
Lideri i opozitës shtoi se opozita shqiptare është në sintoni të plotë me raportet e ndërkombëtarëve dhe se falë këtyre përpjekjeve, disa institucione ndërkombëtare do të dërgojnë misione faktmbledhëse në Shqipëri në muajt e ardhshëm.