Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka shpallur 35 projektet fituese të thirrjes kombëtare për mbështetje financiare në kuadër të programit të strehimit social për vitin 2025.
Këto projekte janë përzgjedhur pas vlerësimit të aplikimeve të dorëzuara nga bashkitë, në zbatim të ligjit nr. 22/2018 “Për strehimin social” dhe në linjë me Strategjinë Kombëtare të Strehimit 2016–2025.
Fondi i akorduar për këtë fazë të programit kap vlerën e 1 miliard lekëve dhe pritet të përfshijë 1,253 familje në nevojë në të gjithë vendin.
Ministri i Ekonomisë Blendi Gonxhja bëri me dije se zbatimi i projekteve nis në periudhën korrik–gusht 2025 dhe do të zgjasë për dy vite, duke u finalizuar në vitin 2026. Projektet do të implementohen në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet vendore dhe synojnë përmirësimin e kushteve të jetesës për shtresat më të pambrojtura të shoqërisë.