Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është vendosur sekuestro konservative ndaj të gjitha pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të subjekteve “International Medicare” sh.p.k. dhe “Sante Plus Group”.
Vendimi është marrë në kuadër të hetimeve për procedimin penal nr. 5022, viti 2024, që po zhvillohet për veprat penale të mashtrimit, fshehjes së të ardhurave dhe evazionit fiskal, në bashkëpunim me Drejtoria e Hetimit Tatimor dhe Seksioni i Krimit Ekonomik-Financiar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
Denoncimi që çoi në hetim
Hetimet nisën pas kallëzimit të një shtetasi portugez, C.S., i cili pretendon se është mashtruar nga spitali “International Medicare” (ish “Sante Plus Group”). Ai kishte paguar 5200 euro për tre shërbime mjekësore, por ndërhyrjet nuk u realizuan pasi mjekët u larguan nga spitali. Pavarësisht kërkesës për kthimin e shumës, paratë nuk iu rikthyen.
Sipas denoncimit dhe provave të mbledhura, spitali operonte me mandate dore dhe jo me kupona tatimorë, duke shmangur detyrimet fiskale. Gjatë kontrollit, hetuesit zbuluan rreth 1 milion euro fatura jo tatimore, ndërsa në sallat kirurgjikale u gjetën medikamente të skaduara dhe të ndaluara për përdorim jashtë spitaleve private.
Po ashtu, dyshohet se në këtë spital kanë ushtruar profesionin mjekë të huaj, kryesisht shtetas turq, pa licencë për ushtrimin e profesionit në Shqipëri.
Fshehje të pagave dhe detyrimeve tatimore
Nga kontrolli tatimor i kryer ndaj subjektit “Sante Plus”, është konstatuar se kompania ka mosdeklaruar pagat reale të punonjësve, duke shmangur pagesat e kontributeve shoqërore e shëndetësore.
Sipas aktit të kontrollit, subjekti rezulton me:
12.826.573 lekë tatim të padeklaruar me efekt në TVSH,
22.547.353 lekë tatim të padeklaruar për 11 fatura në vlerën 112.736.764 lekë,
4.510.786 lekë detyrime për mosdeklarim pagash (vitet 2018–2023),
dhe një total prej 35.373.926 lekësh tatime të padeklaruara.
Dyshimet për fshehje të qëllimshme të të ardhurave
Prokuroria dyshon se “International Medicare” dhe personat përgjegjës kanë fshehur të ardhurat e përfituara nga pacientët, duke mos i deklaruar në sistemet fiskale dhe duke përdorur mandate arkëtimi jo fiskale për të shmangur pagesat ndaj buxhetit të shtetit.
Në hetim rezulton se administratorët dhe ortakët e “Sante Plus Group” (B.K. dhe E.Z.) kanë regjistruar më pas një subjekt të ri, “International Medicare”, me qëllim shmangien e detyrimeve të mëparshme tatimore dhe ekzekutimeve përmbarimore ndaj kompanisë së parë.
Sipas organit të akuzës, këto veprime kanë sjellë një dëm të konsiderueshëm ekonomik ndaj interesave të shtetit shqiptar, për shkak të mosdeklarimit të të ardhurave dhe mospagimit të tatimeve e taksave ligjore



