Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) tejkaloi sot shifrën e 10 milionë pasagjerëve ende pa u mbyllur viti 2024, duke vendosur kështu një tjetër rekord historik. Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës është aeroporti me rritjen më të shpejtë në Evropë që nga pandemia, me një rritje prej 225% krahasuar me vitin 2019.
Për të shënuar këtë arritje të jashtëzakonshme, pasagjeri i 10 miliontë, i cili mbërriti në Shqipëri përmes linjës ajrore holandeze Transavia, u prit me një ceremoni të posaçme së bashku me pasagjerët e tjerë dhe ekuipazhin.
Matin Van Der Meij, pasagjeri i 10 miliontë, u shpreh se kjo nuk ishte vizita e tij e pare në Shqipëri, por ishte më surprizuesja sepse prej pritjes kaq të veçantë. Ai tha se me Shqipërinë e lidhte puna por së shpejti planifikon të vijë edhe me familjen për pushime.
Në aktivitetin e organizuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës morën pjesë, zëvendës kryeministrja Belinda Balluku, anëtarë të kabinetit qeveritar, përfaqësues të trupit diplomatik, medias, përfaqësues të kompanive ajrore, drejtues nga Kastrati Group dhe Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës.
Zëvendës Kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku vlerësoi zhvillimin e vazhdueshëm të aeroportit dhe ndikimin e tij në ekonominë e vendit. Ajo shtoi se ky rezultat nuk është vetëm një arritje e aeroportit por edhe e Shqipërisë që arrin të mirëpresë 10 milionë pasagjerë pa mbaruar ende viti. “Në rast se nuk investohet ndjeshëm nuk mund të kemi arritjet që patëm. Ndaj duhet njohur e gjithë puna që është bërë në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, për sa i përket shtimit të kapaciteteve të terminalit, vendqëndrimeve dhe mbi të gjitha teknologjisë së re.11 milionë e 40 vizitorë të hyrë në vendin tonë deri në 30 nëntor dhe të gjithë këta, imagjinoni 10 milionë kanë hyrë nga Rinasi. Kështu që 90% e prezantimit të Shqipërisë në momentin e parë të hyrjes bëhet nga kjo portë. Në vitin 2025 kemi marrë një angazhim për të pasur ne këtë aeroport mbi 12 milionë pasagjerë.”
Në një video mesazh, Drejtori i përgjithshëm i Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve të Evropës, z.Olivier Jankovec, përshëndeti të pranishmit në ceremoni, në këtë ditë të rëndësishme për aeroportin e Tiranës. “Kjo arritje e bën aeroportin e Tiranës një nga aereoportet më te spikatur për sa i përket rritjes dhe zgjerimit të trafikut në Evropë. Përgëzime Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës për ndikimin që kjo rritje shënon në ekonominë e vendit dhe zhvillimin e turizmit”
Gjithashtu, TIA së bashku me WizzAir organizuan një lojë shpërblyese, ku pasagjerët e pranishëm në terminal patën mundësinë të fitonin dhjetra bileta për fluturime falas në destinacione të ndryshme në Europë. Festa vijoi përgjatë ditës edhe me shfaqje të ndryshme dhe programe argëtuese, duke e transformuar terminalin në një ambjent festiv për të gjithë pasagjerët.