Etleva Skonja
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, njoftoi se puna për Kodin e ri Penal filloi në 2019, por vetëm në shkurt 2023 u mandatua një grup i pavarur ekspertësh për hartimin e draft‑ligjit
Drafti u drejtua nga profesor Arben Rakipi, i cili mbikëqyri përgatitjen e projektit.
Zyrtarisht, grupi i ekspertëve mbetet i paqartë sa i përket emrit dhe përbërjes së plotë, pasi që Ministria e Drejtësisë nuk publikoi listën me emrat e çdo eksperti.
Ministri Manja theksoi se puna u krye nga grupi i ekspertëve dhe se Ministria nuk hartoi vetë draftin, por shërbeu vetëm si organizatore dhe garantuese e procesit të konsultimit publik.
Çfarë dimë për përbërjen e grupit?
Vetëm Arben Rakipi, drejtues i grupit, është identifikuar publikisht si emër qendror në hartimin e Kodit të ri Penal.
Nuk janë publikuar emrat e ekspertëve të tjerë që pjesëmarrën në këtë grup pune, as për përfaqësues nga shoqëria civile, institucione juridike, apo profesionistë të drejtësisë.
Pse mungojnë emrat e ekspertëve?
Grupet e punës për një ligj të tillë shpesh përbëhen nga ekspertë të ndryshëm, juristë, profesorë universitarë, aktorë të sistemit të drejtësisë, etj.
Deri më tani, nuk është publikuar dokument zyrtar që të zbuloj emrat individualë të anëtarëve të grupit që hartuan draftin.
Kritika rreth përbërjes së grupit
Aranita Brahaj, drejtuesja e “Open Data Albania”, më herët ka shprehur shqetësim se drafti është zhvilluar nga një grup i ngushtë prej rreth 10 personash, ku disa nuk përfaqësojnë të gjitha fushat relevante të ekspertizës ligjore. Ajo dha alarmin se mungesa e përfshirjes së një procesi të gjerë konsultimi mund të sjellë zbutje të dënimeve për personat që po përballen me SPAK-un.
Në sytë e ish-deputetit Myslim Murrizi, propozimet për të hequr ose reduktuar ndëshkimin e vepra si korrupsioni apo blerjet e influencës janë kritikuar si të padrejta dhe të penalizojnë parimet e drejtësisë.
Sot kur të gjithë kritikojnë draftin e ri të Kodit Penal, hartuesit nuk dihen.