Juristi dhe ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka bërë një deklaratë të fortë mbrëmjen e djeshme në emisionin Now në Euronews Albania, ku komentoi akuzat zyrtare që SPAK ka ngritur ndaj kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.
Sipas Manjanit, nëse katër akuzat e bëra publike verifikohen në gjykatë dhe nuk rrëzohen gjatë procesit, Veliaj mund të përballet me një dënim që shkon deri në 10 apo edhe 12 vjet burg, në rast bashkimi dënimesh.
“4 akuza janë shumë. Janë akuza që, nëse vërtetohen, pa 10-12 vjet burg nuk shpëton. Nuk është aspak normale, madje është totalisht anormale që përpara se t’i komunikohet akuza personit, ajo publikohet nga media”, deklaroi Manjani.
Por më e rëndë për juristin është fakti që të dhënat nga dosja hetimore kanë rrjedhur në media përpara se vetë i pandehuri të njoftohej zyrtarisht nga Prokuroria.
“Ai prokuror që e ka nxjerrë këtë dhe e ka hedhur në media duhet të qërrohet nga sistemi sot. Kjo çështje është e paragjykuar sepse është gjykuar në publik. Çfarë duhet të bëjë ai gjyqtari që do ketë në dorë çështjen?”, theksoi Manjani.
SPAK dyshohet se ka ngritur akuza ndaj kryebashkiakut për shkelje të barazisë në tendera, shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh, dhe korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë publikë – edhe pse nuk ka ende një njoftim zyrtar të detajuar nga SPAK për këtë çështje.
Çështja ka ngjallur debat të fortë publik dhe politik, ndërsa mbetet për t’u parë nëse Prokuroria e Posaçme do të konfirmojë zyrtarisht ngritjen e akuzave dhe cilat janë provat konkrete mbi të cilat mbështetet aktakuza.
Ky zhvillim e vendos në provë besueshmërinë e SPAK, në një kohë kur opinioni publik është i ndarë mes shpresës për drejtësi dhe skepticizmit ndaj integritetit të sistemit.
Publikimi i detajeve nga dosja hetimore, pa një akt zyrtar, e rrezikon procesin të konsiderohet i paragjykuar dhe hedh hije mbi profesionalizmin e strukturave që janë ngritur për të luftuar korrupsionin në nivelet më të larta.