Cilia Flores, bashkëshortja e presidentit venezuelian Nicolas Maduro dhe e njohur nga ai si “luftëtarja e parë” e Venezuelës, është përshkruar nga prokurorët amerikanë si një figurë kyçe e një rrjeti shtetëror që garantonte mbrojtje për trafikun ndërkombëtar të drogës, kundrejt ryshfeteve të mëdha.
E lindur në vitin 1956 në Tinaquillo, Venezuelë, Flores u rrit në lagjet punëtore të Karakasit perëndimor. Juriste e specializuar në të drejtën e punës dhe penale, ajo u përfshi herët në lëvizjen e Hugo Chavez dhe ofroi mbështetje ligjore pas grushtit të dështuar të shtetit në vitin 1992, ku u njoh edhe me Nicolas Maduro-n. Aleanca e tyre politike dhe personale ka zgjatur mbi tre dekada.
Karriera e saj politike u ngjit shpejt: ajo ishte deputete në vitin 2000 dhe 2005, drejtoi parlamentin venezuelian në vitin 2006, dhe më pas shërbeu si drejtues i lartë i Partisë Socialiste të Bashkuar të Venezuelës. Në vitin 2012, u emërua Prokurore e Përgjithshme nga Hugo Chavez, duke qenë pjesë e rrethit të tij më të ngushtë deri në fund të jetës.
Por sipas aktakuzave amerikane, pas fasadës politike fshihej një rol më i errët. Hetimet tregojnë se në vitin 2007, Flores dyshohet të ketë marrë qindra mijëra dollarë ryshfet për të ndërmjetësuar një takim mes një trafikanti të madh droge dhe Nestor Reverol Torres, atëherë kreu i Zyrës Kombëtare Kundër Drogës në Venezuelë.
Skema, sipas prokurorëve amerikanë, përfshinte pagesa prej 100 mijë dollarësh për çdo fluturim me kokainë që kalonte hapësirën ajrore të Venezuelës, ku një pjesë e këtyre parave dyshohet se përfundonte tek Flores, në këmbim të mbrojtjes institucionale për kartelet. Reverol Torres u akuzua në vitin 2015 në Nju Jork për krime të lidhura me narkotikët dhe sot ndodhet në arrati.
Emri i Flores u bë publik ndërkombëtarisht në vitin 2015, kur dy nipërit e saj u arrestuan dhe dënuan në SHBA për komplot për trafik droge, duke u liruar vetëm në vitin 2022 pas një shkëmbimi të burgosurish mes Uashingtonit dhe Karakasit. Hetimet amerikane e përshkruajnë Flores si hallkë lidhëse mes pushtetit politik dhe trafikut të drogës.
Tashmë, Cilia Flores pritet të përballet me drejtësinë amerikane në New York. Për mbështetësit dhe kritikët e regjimit, ajo mbetet një figurë qendrore e pushtetit të Maduro-s dhe një nga pjesët kyçe të një sistemi që ka bashkëpunuar me kartelet e drogës, të cilëve SHBA-ja i ka shpallur luftë të hapur.



