Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka hedhur idenë e reduktimit të numrit të deputetëve në Kuvend, duke e konsideruar këtë një hap të domosdoshëm për reformimin e institucioneve.
Në fjalën e mbajtur në Asamblenë e PS-së, Rama tha se Shqipëria ka nevojë për një cikël të ri riorganizimi, duke nisur nga Parlamenti.
“Zbritja e numrit të deputetëve të Kuvendit në të paktën 101 deputetë, edhe më pak bujrum, do kishte vetëm impakt pozitiv. Prandaj ky ndryshim duhet të jetë objektiv i yni që përkon me vullnetin e zgjedhësve tanë,” u shpreh Rama.
Krahas kësaj, kryeministri propozoi edhe ndryshime në organizimin e komisioneve parlamentare, duke e lidhur këtë proces me negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Ndër komisionet që Rama përmendi ishin:
Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, me fokus në tregun europian, lirinë e lëvizjes së punëtorëve, dialogun social dhe sigurinë në punë.
Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, që do të mbajë barrën e harmonizimit të legjislacionit me standardet e BE-së dhe respektimin e shtetit ligjor.
Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtjen, me synim forcimin e kapaciteteve të sigurisë dhe bashkëpunimin strategjik me Parlamentin Europian.
Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, që sipas Ramës duhet të drejtohet nga opozita, duke pasur rol kyç në inovacion dhe integrimin europian.
Komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale, si pjesë e prioriteteve të mandatit të ri.
Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Burimet e Qëndrueshme, që do të trajtojë standardet europiane në transport, ekonomi digjitale dhe infrastrukturë.
Sipas Ramës, ky ristrukturim synon të sjellë një Kuvend më efikas, të përshtatur me sfidat e integrimit europian dhe me nevojat e vendit.