Partia Demokratike ka paraqitur një kërkesë zyrtare për rinumërimin e votave, duke vënë në pikëpyetje integritetin e procesit zgjedhor të fundit. Por kjo lëvizje është cilësuar nga juristi Kreshnik Spahiu si një akt më shumë politik sesa ligjor, që sipas tij, synon të fitojë kohë dhe të shmangë përgjegjësinë për rezultatin elektoral.
“Nëse do ishte një parti e re pa përfaqësim në komisione, ankesa do kishte kuptim,” u shpreh Spahiu. Por PD, sipas tij, ka pasur një prani të plotë me mbi 11 mijë komisionerë dhe numërues në të gjithë vendin. Këta përfaqësues kanë firmosur procesverbalet, duke e certifikuar vetë rezultatin që më pas po kundërshtojnë.
Spahiu thekson se kërkesa për rinumërim është e pabazë edhe për faktin se PD ka qenë pjesë aktive në të gjitha hallkat e administrimit zgjedhor. “Si mund të kërkosh rinumërim kur ke qenë aty dhe ke nënshkruar çdo hap të procesit?” pyet ai, duke shtuar se ky është një mesazh jo vetëm konfuz për opinionin publik, por edhe një sinjal mosbesimi ndaj vetë strukturës së partisë.
Në një kohë kur Bashkimi Europian dhe OSBE/ODIHR kanë ofruar dhe mbështetur përdorimin e mjeteve teknologjike për garantimin e transparencës, kërkesa për rinumërim nga një parti që ka qenë pjesë e të gjithë procesit shton më shumë dyshime për motivet reale politike të këtij hapi.
Ndërkohë që të gjitha subjektet kanë të drejtën ligjore për të ankimuar, pyetja që ngrihet është: a është kjo një kërkesë për drejtësi zgjedhore apo një përpjekje për të zvarritur një proces që de facto është mbyllur?
Në fund të ditës, ajo që rrezikohet nuk është vetëm rezultati i një force politike, por besueshmëria e një sistemi që, me gjithë mangësitë, ka nevojë për më shumë përgjegjësi institucionale dhe më pak kalkulime taktike.