Ashtu edhe si në qytetet e tjera edhe në kryeqytet është mbajtur ceremonia e ngritjes së flamurit në nder të 112 vjetorit të Pavarësisë.
Ceremonia është zhvilluar në sheshin Skënderbej, ku i pranishëm është edhe kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj.
Tirana u bë sërish sot qendra e bashkimit kombëtar, duke mirëpritur për të dytin vit radhazi “Paradën e Shqiptarëve.”

Nën kujdesin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon, Erion Veliaj, dhe në bashkëpunim me Shoqatën “Rrënjët Shqiptare” (Albanian Roots – Nju Jork), kjo ngjarje festive mblodhi kryetarë, nënkryetarë dhe këshilltarë komunalë nga të gjitha trevat shqiptare, si dhe përfaqësues nga komunat arbëreshe.

Parada u hap me një moment emocionues, recitimin e poezisë së Gjergj Fishtës “Shqypnia e lirë,” sjellë mjeshtërisht nga aktori i njohur Reshat Arbana. Atmosfera festive u pasurua nga pjesëmarrësit që paraqitën trashëgiminë e tyre kulturore përmes këngëve popullore, instrumenteve tradicionale dhe kostumeve karakteristike nga të gjitha trevat shqiptare.

Ky aktivitet synon jo vetëm promovimin e trashëgimisë kulturore, por edhe edukimin dhe rrjetëzimin e brezave të rinj, duke forcuar ndjenjën e përkatësisë kombëtare.
Parada e Shqiptarëve ka një ndikim të rëndësishëm në turizmin dhe ekonominë e vendit.

Parada e Shqiptarëve” vijon të jetë një simbol i bashkimit dhe krenarisë për të gjithë shqiptarët, si dhe një mundësi e shkëlqyer për të promovuar Shqipërinë si një destinacion unik kulturor në rajon.







