back to top
31.5 C
Tirana
E premte, 20 Qershor, 2025
spot_img
KreuDrejtësia12 tendera me hije skandali në Kavajë/ Dosja rikthehet në SPAK, në...

12 tendera me hije skandali në Kavajë/ Dosja rikthehet në SPAK, në qendër Elvis Roshi

Një dosje e mbyllur pa autor, një kallëzim për “shpërdorim detyre” që u mbajt në sirtar për më shumë se 7 vite dhe një figurë politike që mbijetoi me heshtjen e institucioneve. Por këtë javë, me një vendim të papritur, Gjykata e Posaçme e ka kthyer në lojë dosjen e tenderëve të dyshimtë në Bashkinë e Kavajës, duke i dhënë SPAK-ut dritën jeshile për ta hetuar nga e para.

Gjithçka nisi me një audit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për periudhën janar 2013 – dhjetor 2014. Në raportin e thelluar, KLSH renditi 12 tendera të zhvilluar nga Bashkia Kavajë, ku konstatohen shkelje të rënda të ligjit të prokurimeve publike, me pasoja të drejtpërdrejta për buxhetin lokal dhe interesin publik.

Në dy raste, bashkia përdori standarde të dyfishta për të skualifikuar operatorët me ofertat më të ulëta, ndërsa në tre tendera të tjerë u evidentuan përjashtime të padrejta për shkak të “llogaritjeve të gabuara”, të cilat ngritën dyshime për manipulim të qëllimshëm të garës.

Dosje “pa autor” dhe drejtësi e vonuar

Në vitin 2017, për këtë rast u regjistrua një procedim penal për veprën penale “shpërdorim detyre”. Por, siç ndodh shpesh në raste që përfshijnë pushtetin lokal dhe lidhjet politike, procedimi u regjistrua pa emra konkretë, ndërsa prokuroria e Durrësit kërkoi pushimin e çështjes. Me kalimin e kohës, rasti u zbeh në heshtje – deri në vendimin e kësaj jave.

Gjykata e Posaçme për Korrupsion dhe Krim të Organizuar ka vendosur që dosja t’i kalojë SPAK-ut, duke i hapur rrugë hetimeve të reja për abuzimet me fondet publike dhe procedurat e prokurimit në Kavajë.

Kthim nën lupë për Elvis Roshin

Ky zhvillim vjen vetëm pak ditë pasi SPAK sekuestroi celularin e Elvis Roshit, ish-kryebashkiak i Kavajës dhe ish-deputet i PS, nën dyshimet për korrupsion zgjedhor në fushatën e 11 majit 2025. Roshi u fotografua dhe denoncua publikisht teksa bënte fushatë aktive për kushëririn e tij, Elton Roshi, kandidatin e koalicionit opozitar PD-ADSHM në qytetin e Kavajës.

Burime nga organet e hetimit bëjnë me dije se kontrollet ndaj Roshit lidhen me dyshimet për përdorim të burimeve publike, ndikim të paligjshëm në procesin zgjedhor dhe favorizim familjar në një zonë ku ndikimi i tij politik vijon të jetë i pranishëm.

Tendera, heshtje dhe cikli i pandalshëm i abuzimit

Rasti i Kavajës është vetëm një nga shumë shembuj ku institucionet e kontrollit konfirmojnë shkelje, por prokuroria nuk vepron ose çështjet zbehen nën heshtje. Auditorët e KLSH-së kanë evidentuar qartë që procedurat e prokurimit janë manipuluar për të përjashtuar ofertuesit më të leverdishëm dhe për të favorizuar të tjerë – një skemë klasike e shpërdorimit të detyrës që shoqëron pushtetin lokal në mungesë transparence.

Zhvillimet e fundit tregojnë se SPAK është duke rikthyer vëmendjen te abuzimet me tenderat, sidomos në rastet ku ka lidhje me figura politike të njohura. Por mbetet për t’u parë nëse hetimet do të shkojnë deri në fund, apo do të ndalen sërish në emra “të vegjël” teknikë.

Kavaja si metaforë e shtetit që nuk e kontrollon dot veten

Rasti “Kavaja” është një pasqyrë e qartë e mënyrës si funksionon shpërdorimi i pushtetit lokal në Shqipëri: përmes procedurave të rregullta në letër, por të dizajnuara për të favorizuar të njëjtët klientë, miq apo familjarë. Kur drejtësia nuk arrin të çojë askënd përballë ligjit për një dekadë, atëherë pasojat nuk janë vetëm financiare, por institucionale.

SPAK ka mundësinë ta provojë të kundërtën./Etleva Skonja

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat