Qeveria ka rishikuar për herë të katërt buxhetin e shtetit për këtë vit, duke miratuar një akt normativ që parashikon mbështetje shtesë financiare për kategori të ndryshme sociale, si dhe fonde shtesë për bujqësinë dhe pushtetin vendor.
Një nga ndryshimet kryesore të këtij rishikimi lidhet me përfshirjen e personave me aftësi ndryshe në skemën e shpërblimeve të fundvitit. Për këtë kategori është vendosur një shpërblim në vlerën 15 mijë lekë, një grup që nuk ishte përfshirë në aktin normativ të muajit tetor, kur u miratuan shpërblime për pensionistët.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se nga ky akt normativ përfitojnë rreth 148 mijë persona, ndërsa fondi total i vënë në dispozicion për këtë mbështetje financiare arrin në 2.2 miliardë lekë. Sipas tij, përfitues janë familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, si dhe personat me aftësi ndryshe.
“Mbështetje financiare për familjet me ndihmë ekonomike me 15 mijë lekë. Janë 148 mijë përfitues, me një fond prej 2.2 miliardë lekësh, si për shpërblimin e familjeve në nevojë, ashtu edhe për personat me aftësi ndryshe”, deklaroi Malaj.
Gjatë prezantimit të ndryshimeve buxhetore, ministri njoftoi gjithashtu se fondet e pashpenzuara nga institucionet publike gjatë këtij viti do të transferohen në llogarinë e skemës së pensioneve në Bankën e Shqipërisë. Sipas tij, bëhet fjalë për rreth 150 milionë euro, të cilat do të përdoren për të mbështetur reformën e re të pensioneve.
“Janë rreth 150 milionë euro që do të kalojnë në llogarinë që kemi në Bankën e Shqipërisë për skemën e pensioneve, me qëllim mbështetjen e reformës së re”, tha Malaj.
Rishikimi i buxhetit parashikon edhe mbështetje shtesë për sektorin e bujqësisë. Sipas ministrit të Financave, 2 miliardë lekë shtesë do të akordohen për fermerët përmes skemave mbështetëse, me synimin për të lehtësuar kostot dhe për të nxitur prodhimin bujqësor.
Po ashtu, 1.2 miliardë lekë shtesë janë parashikuar për pushtetin vendor, fonde që do të përdoren për shlyerjen e borxheve të akumuluara. Malaj sqaroi se kjo shumë përfaqëson rreth 40% të detyrimeve totale të pushtetit vendor.
“Fermerët do të përfitojnë 2 miliardë lekë shtesë përmes skemave mbështetëse, ndërsa 1.2 miliardë lekë shtesë janë parashikuar për pushtetin vendor për shlyerjen e borxheve, një vlerë që është e barabartë me 40% të detyrimeve të pushtetit vendor”, u shpreh ministri.
Rishikimi i katërt i buxhetit vjen në prag të fundvitit dhe synon të adresojë nevoja sociale, ekonomike dhe institucionale, në një kohë kur qeveria synon të lehtësojë barrën financiare për shtresat në nevojë dhe të mbështesë sektorë kyç të ekonomisë.



