Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sot një nismë të re në fushën e shëndetësisë, që synon forcimin e luftës kundër kancerit dhe mbështetjen e pacientëve të trajtuar në Shërbimin Onkologjik.
Në një deklaratë publike, Rama bëri të ditur se buxheti i shtetit do të shtojë 15 milionë euro që do të përdoren ekskluzivisht për trajtimin e pacientëve me sëmundje onkologjike.
“Për herë të parë hapim një linjë financimi nga buxheti i shtetit vetëm për këtë nevojë jetike, duke futur 15 milionë euro ekstra në shërbim të pacientëve të Onkologjikut. Shërbimi i rikonstruksionit të gjirit për gratë dhe vajzat që kalojnë kancerin do të jepet i plotë dhe falas,” deklaroi kryeministri.
Nismë e re: Instituti Kombëtar i Tumoreve “Shqipëria 2030”
Rama njoftoi gjithashtu ngritjen e Institutit Kombëtar të Tumoreve, një projekt kombëtar që synon të kthejë Shqipërinë në pjesë të rrjetit ndërkombëtar të instituteve të ekselencës në fushën e onkologjisë.
Sipas tij, projekti do të udhëhiqet nga Ministrja e Shëndetësisë, e cila është përfshirë në listën e 100 grave më influente në mjekësinë botërore për çështje që lidhen me kancerin.
Ky institut, pjesë e vizionit “Shqipëria 2030”, pritet të përqendrojë kërkimin shkencor, diagnostikimin modern dhe trajtimet e avancuara për pacientët onkologjikë në vend.
Rritje pagash për mjekët dhe infermierët
Krahas investimeve në shërbimet onkologjike, kryeministri Rama bëri të ditur edhe një rritje të re pagash për punonjësit e sistemit shëndetësor.
“4,600 mjekë, infermierë dhe farmacistë, si dhe 14,200 teknikë dhe laborantë do të përfitojnë nga një rritje e re pagash. Kjo është një nxitje për gjeneratën e re të bluzave të bardha që të qëndrojnë e të punojnë me dinjitet në Shqipëri,” tha Rama.
Ai shtoi se qëllimi i qeverisë është që “Shqipëria 2030 të bëhet vendi ku ikja është zgjedhje, jo domosdoshmëri.”
Nisma e re vjen në kuadër të përpjekjeve për modernizimin e sistemit shëndetësor publik dhe përmirësimin e kushteve të punës e trajtimit të pacientëve.
Qeveria thekson se buxheti 2026 do të ketë prioritet shëndetësinë, me fokus te investimet në teknologji, barnat e reja dhe trajnimet profesionale për stafet mjekësore.



