back to top
10.5 C
Tirana
E shtunë, 31 Janar, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomia171 milionë euro nga BE për Ballkanin/ Projektet që financohen në Shqipëri

171 milionë euro nga BE për Ballkanin/ Projektet që financohen në Shqipëri

Bashkimi Evropian ka miratuar një paketë të re mbështetjeje financiare në vlerë prej 171 milionë eurosh për vendet e Ballkanit Perëndimor, e fokusuar në zhvillimin e infrastrukturës dhe forcimin e sektorit privat.

Sipas Komisionit Evropian, fondet do t’u shpërndahen Bosnjë e Hercegovinës, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, me synimin për të rritur bashkëpunimin rajonal dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian.

Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, theksoi se investimet janë thelbësore për afrimin e rajonit me Bashkimin Evropian, duke nënvizuar se projektet synojnë të krijojnë përfitime konkrete për qytetarët dhe ekonomitë lokale.

Nga fondi total, 91.8 milionë euro do të përdoren për projekte infrastrukturore. Në Shqipëri parashikohet financimi i internetit me shpejtësi të lartë dhe elektrifikimi i hekurudhës Durrës–Tiranë. Ndërkohë, në Maqedoninë e Veriut do të përmirësohet sistemi i transmetimit të energjisë dhe do të realizohet rindërtimi energjetik i shkollave, ndërsa projekte të ngjashme do të zbatohen edhe në Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Një shumë prej 76.3 milionë eurosh do të dedikohet për mbështetjen e sektorit privat, me fokus ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe forcimin e partneriteteve publike-private në rajon.

Po ashtu, rreth 3 milionë euro janë caktuar për ndihmë teknike në Shqipëri dhe Bosnjë, për nxitjen e investimeve në energji, ujë, inovacion dhe kërkim shkencor.

Komisioni Evropian bëri të ditur se projektet do të zbatohen në bashkëpunim me partnerë lokalë dhe institucione financiare ndërkombëtare. Kosova dhe Serbia nuk përfshihen në këtë paketë financiare.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat