back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 23 Nëntor, 2025
spot_img
KreuAktualitetEkonomia198 milionë euro fatura e drejtësisë ndërkombëtare për Shqipërinë

198 milionë euro fatura e drejtësisë ndërkombëtare për Shqipërinë

Shqipëria do të duhet të paguajë një faturë të rëndë financiare për shkak të vendimeve të humbura në gjykatat ndërkombëtare të arbitrazhit dhe në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ).

Sipas të dhënave të përfshira në projektbuxhetin e vitit 2026, detyrimet që rrjedhin nga vendimet e gjykatave të arbitrazhit ndaj shtetit shqiptar arrijnë në 180 milionë euro, ndërsa së bashku me kompensimet që duhet të jepen për vendimet e GJEDNJ-së, shuma totale kalon në 198 milionë euro, ose rreth 20 miliardë lekë.

12 kompani të huaja kanë fituar ndaj shtetit shqiptar

Në dokumentin zyrtar theksohet se janë 12 kompani të huaja që kanë fituar çështje ndaj qeverisë shqiptare në arbitrazh ndërkombëtar.
Këto kompani kishin ngritur padi për prishje të kontratave, anulime të investimeve apo dëmshpërblime për veprime të paligjshme nga ana e institucioneve shqiptare.

Sipas shifrave, 71 milionë euro janë detyrime të formës së prerë që duhet të shlyhen brenda shtatorit 2025, ndërsa pjesa tjetër është ende në proces.

Pjesën më të madhe të kësaj fature e zënë çështje të njohura si:

Arbitrazhi me biznesmenin italian Francesco Becchetti, i cili fitoi një dëmshpërblim të majmë ndaj shtetit shqiptar pas mbylljes së televizionit “Agon Channel”.

Konfliktet me kompanitë “Copri” dhe “Actor”, që kishin kontrata ndërtimi në sektorin e infrastrukturës.

Çështjet me “GBC Oil Company” dhe “Phoenix Petroleum”, lidhur me investimet në sektorin e energjisë dhe hidrokarbureve.

18 milionë euro nga vendimet e Strasburgut

Përveç arbitrazheve, një tjetër barrë e rëndësishme financiare për buxhetin vjen nga vendimet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Sipas raportit të Ministrisë së Financave, detyrimet që rrjedhin nga këto çështje kapin vlerën e 18 milionë eurove, kryesisht për dëmshpërblime ndaj individëve që kanë fituar gjyqe kundër shtetit shqiptar për shkelje të të drejtave të pronës, largime të padrejta nga puna apo shkelje procedurash gjyqësore.

Ndër çështjet më të rëndësishme të përfshira janë:

“Sharrxhi kundër Shqipërisë”

“Rista kundër Shqipërisë”

“Zela kundër Shqipërisë”

“Delijorgji kundër Shqipërisë”

Këto raste përbëjnë pjesën më të madhe të dëmshpërblimeve që do të paguhen nga fondet publike.

Një barrë e rëndë për taksapaguesit

Në total, detyrimet që rrjedhin nga gjyqet e humbura arrijnë në gati 200 milionë euro, një shumë e konsiderueshme që do të mbulohet nga buxheti i shtetit, pra nga taksat e qytetarëve shqiptarë.
Ekspertët e ekonomisë paralajmërojnë se këto vendime jo vetëm rëndojnë financat publike, por tregojnë edhe dobësitë e administratës shtetërore në mbrojtjen e interesave të Shqipërisë në proceset ndërkombëtare ligjore.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat