Investimet për infrastrukturën e mbrojtjes nga përmbytjet pritet të arrijnë në rreth 2.7 miliardë lekë deri në vitin 2028, sipas planit shumëvjeçar të qeverisë për rehabilitimin e argjinaturave dhe përmirësimin e hidrovoreve në vend.
Deri më tani, gjatë viteve 2024 dhe 2025, janë investuar rreth 580 milionë lekë në projekte për mbrojtjen nga përmbytjet dhe rehabilitimin e zonave të dëmtuara.
Për periudhën 2026–2028, parashikohen 2 miliardë e 115 milionë lekë të tjera në investime. Vetëm për vitin 2026 pritet të investohen rreth 855 milionë lekë, ndërsa në 2027, rreth 620 milionë lekë.
Këto fonde do të përdoren për ndërhyrje në Lumin e Kalasës, Shushicë në Vranisht dhe Drashovice, Vjosë, Bunë, Drin dhe Mat, si dhe për riparimin e argjinaturave të Kolektorit K17 në Butrint, Lumit Shkumbin dhe Bunës.
Në vitin 2028, pritet të realizohen investime shtesë me vlerë 640 milionë lekë, që do të fokusohen në objekte të mbrojtjes nga përmbytjet në zona me risk të lartë.
Ndërkohë, pjesë e planit është edhe rikonstruksioni i hidrovoreve, me një fond total prej 700 milionë lekësh deri në vitin 2028.
Konkretisht, punimet e nisura në hidrovorët e Grethes, Synejt, Orikumit dhe Hamallajt do të vijojnë gjatë viteve në vazhdim. Vetëm në 2026, janë planifikuar 160 milionë lekë, ndërsa në 2028 pritet të investohen rreth 200 milionë lekë për rehabilitimin e plotë të këtyre sistemeve.



