back to top
16.5 C
Tirana
E mërkurë, 15 Tetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetEkonomia2500 subjekte synojnë tokën malore për 1 euro dhe 10 vite pa...

2500 subjekte synojnë tokën malore për 1 euro dhe 10 vite pa taksa

Më shumë se 2500 individë dhe biznese kanë shprehur interes për të përfituar nga “Paketa e Maleve”, një nismë e re qeveritare që synon rigjallërimin ekonomik dhe demografik të zonave malore në vend. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Me mundësinë për të fituar pronësinë mbi tokën për vetëm 1 euro dhe duke përfituar lehtësira fiskale për 10 vite, kjo paketë do të rrisë punësimin dhe përmirësimin e jetesës, duke garantuar zhvillim rural të qëndrueshëm,” shkruan Denaj, duke e cilësuar këtë nismë si një “epokë të re” për malësitë shqiptare.

500 investitorët e parë që përzgjidhen do të përfitojnë nga një sërë përjashtimesh tatimore për një dekadë, përfshirë:

Përjashtim nga taksa e ndikimit në infrastrukturë

Përjashtim nga taksa e pasurive të paluajtshme

Përjashtim nga tatimi mbi të ardhurat

Thirrja për aplikim në këtë program është hapur disa ditë më parë dhe është shoqëruar me interes të lartë nga publiku. Qeveria synon përmes këtij instrumenti të nxisë investime në agroturizëm, prodhim të qëndrueshëm, shërbime turistike dhe infrastrukturë mbështetëse për jetën malore.

Një rol kyç në këtë proces do ta kenë edhe bashkitë, të cilat pritet të propozojnë dhe të listojnë zonat me përparësi për investim. Zonat e përzgjedhura do të miratohen më pas me vendim të posaçëm të qeverisë.

Përfitimet ekonomike dhe sociale të paketës pritet të ndikojnë edhe në frenimin e emigracionit dhe kthimin e popullsisë drejt vendbanimeve tradicionale në male, duke i dhënë një impuls të ri zhvillimit të qëndrueshëm dhe gjallërimit të komuniteteve lokale.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat