Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka kritikuar ashpër administratën shtetërore për pushimet e gjata të fundvitit dhe vonesat në shpërndarjen e fondeve për fermerët, të cilët sipas tij punojnë pa ndërprerje, 24 orë në ditë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Braçe thekson se bujqësia po neglizhohet, pavarësisht se fondet për mbështetjen e fermerëve janë të disponueshme. Sipas tij, janë 13 milionë euro të mbetura pa u shpërndarë nga viti i kaluar, si dhe 19 milionë euro të tjera të shtuara përmes aktit normativ, duke e çuar totalin në 32 milionë euro që ende nuk kanë kaluar tek përfituesit.
Deputeti socialist shprehet se ndërkohë që administrata ka qenë në pushime për ditë të tëra, fermerët kanë vijuar punën pa pushim, duke kërkuar me ngulm pagesat për naftën, blegtorinë dhe mbështetjet e tjera bujqësore.
Braçe kritikon drejtpërdrejt Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), duke e konsideruar dështim faktin që fondet nuk janë shpërndarë brenda vitit dhe duke kërkuar riorganizimin e plotë të institucionit.
Sipas tij, institucionet përgjegjëse duhet të jenë në punë 24 orë për të garantuar pagesat për bujqit, të cilët nuk punojnë në zyra, por në fusha, sera dhe stalla, shpesh në kushte të vështira moti.
“Paratë janë, por nuk po u jepen bujqve. Kjo është e papranueshme”, thekson Braçe në reagimin e tij.



