Ministri i Drejtësisë, Ulsi Lamallari, njoftoi sot në një konferencë për mediat se ka firmosur propozimin për amnistinë penale, e cila pritet të miratohet shumë shpejt nga Këshilli i Ministrave. Sipas tij, nga ky akt ligjor do të përfitojnë mbi 10 mijë shtetas shqiptarë, nga të cilët 380 do të lirohen menjëherë.
“Sapo kam firmosur propozimin, pas procesit të marrjes së mendimeve nga institucionet përgjegjëse, dhe e kam dërguar në Këshillin e Ministrave. Besoj se shumë shpejt do të kemi miratimin e aktit dhe më pas depozitimin në Kuvend,” tha Lamallari.
Ministri bëri të ditur se një pjesë e përfituesve janë persona të burgosur aktualisht: 380 do të lirohen menjëherë, ndërsa 900 të tjerë do të përfitojnë ulje dënimi. Ai theksoi se amnistia shtrihet gjithashtu edhe tek kategoritë vulnerabël, përfshirë gratë dhe të miturit që ndodhen në qeli, si dhe tek rastet që lidhen me shuarjen e ndjekjes penale për disa vepra specifike.
“Për vitin 2024, vetëm për dy vepra të Kodit Penal dhe drejtimin e automjetit, llogariten 7,711 procedime që do të shuhen menjëherë pas miratimit të projektligjit. Kjo nuk përfshin personat që janë në shërbim provë,” tha Lamallari, duke e cilësuar amnistinë si një “akt human” në favor të qytetarëve shqiptarë.
Ai shtoi se nuk ka ende një datë të saktë kur drafti do të shqyrtohet dhe votohet në Kuvend, por se do të bëjë të pamundurën që procedura të përshpejtohet. “Amnistia penale është një përfitim i madh për shumë të dënuar apo të paraburgosur. Si ministër i Drejtësisë do të bëj të pamundurën që të shqyrtohet sa më shpejt të jetë e mundur,” përfundoi Lamallari.



