Ledina Elezi
Kostot e larta të prodhimit dhe aksesi në financim, kanë qenë disa nga problematikat kryesore që kanë hasur bizneset në ushtrimin e aktivitetit të tyre gjatë gjysmës së parë të vitit. Normat e larta të interesit në fillim të 2024-ës, apo shtrëngimi i kushteve të financimit, e kanë vështirësuar marrjen e një kredie nga bizneset prej bankave ose institucioneve financiare jo banka, për përballimin e kostove të prodhimit të punës.
Megjithatë, përveçse për përballimin e shpenzimeve afatshkurtra, huamarrja e bizneseve është realizuar edhe për kryerjen e një investimi afatgjatë, apo për shlyerjen e një huaje më të vjetër.
Por, sa realisht është përdorur dhe a ka qenë e mjaftueshme kjo hua?

Për 87% të bizneseve, niveli i huamarrjes për financimin e veprimtarisë së tyre është i përshtatshëm. Gjatë periudhës, rreth 57% e ndërmarrjeve kanë vijuar të financojnë veprimtarinë e tyre vetëm nëpërmjet shitjeve, por nuk mbetet pas edhe financimi i realizuar nëpërmjet kombinimit të shitjeve me rezervat e mbartura, ndjekur nga kombinimi i shitjeve me huanë.
Sipas një vrojtimi të realizuar nga Banka e Shqipërisë, rreth 91% e bizneseve huamarrëse deklarojnë se i janë drejtuar për kredi sistemit financiar, 4% kanë përdorur burime joformale, si për shembull persona fizikë, kompani të tjera, mall i papaguar e të tjera, ndërsa thuajse 5% e tyre kanë përdorur një kombinim burimesh formale dhe joformale. Pesha e bizneseve që deklarojnë vetëm hua formale ka rënë me 0.2 pikë përqindje krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar.
Vetëm një pjesë e vogël e bizneseve i janë drejtuar për kredi institucioneve financiare jo banka. Më shumë biznese të vogla kanë kërkuar hua nga këto institucione dhe kjo për arsye se bankat i perceptojnë ato me një risk më të shtuar se bizneset e mëdha. Konkretisht, vetëm 3% e ndërmarrjeve të vogla, 1% e ndërmarrjeve të mesme dhe 0.3% e ndërmarrjeve të mëdha kanë marrë një kredi nga institucionet e mikrofinancës./SCAN