Ish-kryeministri Sali Berisha ka hedhur akuza të rënda ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si autorin kryesor të një skenari mafioz që lidhet me rastin e ish-zëvendësdrejtorit të AKSHI-t, Daniel Shima. Në një deklaratë publike, Berisha tha se Shima u rrëmbye dhe u mbajt peng për disa orë, duke shpëtuar vetëm falë një mesazhi SOS që i dërgoi partneres së tij.
Sipas Berishës, mesazhi “Po më arrestojnë” që Shima dërgoi në orën 13:30, tregon përfshirjen e uniformave të shtetit apo “bandës së veshur me uniformë”. Ish-kryeministri theksoi se gjatë tre orëve që pasuan, institucionet heshtën, ndërsa policia sipas tij dha versione kontradiktore për vendndodhjen e tij.
“Nga Qyteti Studenti, drejt Surrelit, e më pas në Elbasan. Kjo është loja e pistë që fshihet pas zhdukjes së tij disaorëshe. E vërteta është një: Daniel Shima u rrëmbye. Ai shpëtoi vetëm falë atij mesazhi SOS. Përndryshe, do të kishim skenë si me Jan Prengën apo Ervis Martinajn,” – deklaroi Berisha.
Duke e lidhur çështjen me tenderat dhe akuzat për korrupsion në AKSHI, Berisha ngriti katër pyetje publike për kryeministrin Rama:
Cilat kanë qenë motivet e kërcënimit tuaj ndaj Daniel Shimës?
E urdhërove ti Mirlinda Karçanajn ta shkarkojë atë sapo doli nga SPAK?
Ke dijeni për regjistrimin ambiental ku përmendet se tenderat i përcakton baxhanaku dhe bashkëshortja juaj, Linda Rama?
Je i gatshëm të ballafaqohesh me Daniel Shimën pas kësaj situate?
Sipas Berishës, heshtja e Shimës pas daljes nga kjo ngjarje është tregues i presioneve dhe kërcënimeve mafioze:
“Kodi i mafies, Omerta, po sundon në Shqipëri. Rama, bashkë me Agasin, është autor i këtij terrorizmi shtetëror të mbështetur nga kartelat e drogës,” – u shpreh ai.
Në fund të fjalës së tij, Berisha e cilësoi AKSHI-n si “sipërmarrjen private të Edi Ramës”, duke përmendur edhe raste të tjera skandalesh të lidhura me këtë institucion.