Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka prezantuar sot një seri masash për të stimuluar zhvillimin ekonomik dhe investimet në vend, duke deklaruar se do të krijohen 4 zona të lira ekonomike në qarqet e mëdha të Shqipërisë, të cilat do të funksionojnë sipas standardeve më të larta.
Ai theksoi se në këto zona nuk do të mund të investojnë kompanitë me konto offshore, për të parandaluar fluksin e parave të vjedhura nga ministrat dhe qeveritarët. Berisha gjithashtu njoftoi se qeveria do të bashkëpunojë ngushtë me biznesin për dixhitalizimin e të gjitha bizneseve dhe do të ndërmarrë një projekt të rëndësishëm për vendosjen e paneleve diellore dhe fotovoltaike në të gjithë vendin.
Berisha vuri theksin në faktin që programi ekonomik “Made in Albania” është programi më i mirë për Shqipërinë, duke garantuar liri ekonomike, konkurrencë të ndershme dhe një klimë miqësore për investitorët, si dhe mbështetje të fuqishme për startup-et dhe inovacionin.
“Do krijohen 4 zona të lira ekonomike në qarqet e mëdha të vendit në standardet më të mira, në të cilat nuk do mund të investojnë kompanitë me konto offshore.
Asgjë nuk mund të vijë, se pastaj do vërshonin miliarda para të vjedhura nga ministrat dhe qeveritarët, do ktheheshin këtu në zona industriale.
Qeveria do bashkëpunojë ngushtë me biznesin për dixhitalizimin e të gjitha bizneseve.
Qeveria në bashkëpunim me sistemin bankar do të ndërmarrë bashkëfinancimin e vendosjes së paneleve diellore nga jugu në veri, paneleve fotovoltaike në mënyrë që në krye të 3 viteve të pagesës së qirasë, çdo shqiptar të marrë energjinë falas nga këto panele.
Startup-et dhe inovacioni do njohin një mbështetje të fuqishme nga banka e zhvillimit.
Kompanitë Made in Albania do jenë përfitueset e para nga financimi buxhetor i proceseve të dixhitalizimit.
Pra, programi ekonomik Made in Albania i Shqipërisë Madhështore, është pa mëdyshje programi më i mirë që është paraqitur ndonjëherë në Shqipëri në raport me lirinë ekonomike, në raport me konkurrencën dhe barazinë e garës, në raport me klimën miqësore për investitorët dhe investimet, në raport me tërheqjen e investimeve të huaja, në raport me nxitjen e eksporteve”, tha ai.