Qeveria shqiptare ka shpallur angazhimin për të punësuar 40 mijë të rinj brenda katër viteve të ardhshme, si pjesë e një strategjie për të frenuar emigracionin masiv dhe për të ofruar mundësi të reja në vend.
Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj, gjatë një interviste në emisionin “Terminal” në A2 CNN, tha se kjo nismë do të realizohet përmes politikave mbështetëse për startup-et dhe programit të garancisë rinore në bashkëpunim me Bashkimin Europian.
“Ne do të angazhohemi që në 4-vjeçarin e ardhshëm të punësojmë 40 mijë të rinj, të cilët ose do të përfitojnë punësim direkt, ose do të marrin formim profesional për të qenë më të punësueshëm. Siguria e zhvillimit ekonomik është e lidhur ngushtë me kapitalin njerëzor, ndaj duhet të garantojmë që të rinjtë të qëndrojnë dhe të zhvillohen në Shqipëri”, u shpreh Ibrahimaj.
Ajo pranoi se emigrimi nuk mund të ndalohet plotësisht, veçanërisht pas anëtarësimit në Bashkimin Europian, ku lëvizja e lirë e njerëzve është një nga parimet themelore. Megjithatë, sipas saj, qeveria synon të ofrojë alternativa reale që të rinjtë të zgjedhin të jetojnë e të punojnë në vend.