back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 14 Nëntor, 2025
spot_img
KreuAktualitetEkonomia41.6 miliardë lekë për 61 bashki/ Tirana kryeson, zonat rurale mbeten prapa

41.6 miliardë lekë për 61 bashki/ Tirana kryeson, zonat rurale mbeten prapa

Fokusi në paga dhe shpenzime operative, vetëm 20% e buxhetit për investime. Ekspertët kërkojnë ndryshim të formulës për zonat rurale.

Qeveria ka ndarë 41.6 miliardë lekë fonde për 61 bashkitë e vendit në buxhetin e vitit të ardhshëm, një shumë që synon të mbështesë funksionimin e pushtetit vendor, por që sipas ekspertëve, mbetet ende larg objektivit për zhvillim të qëndrueshëm lokal.

Nga kjo shumë, 27.8 miliardë lekë do të jepen si transfertë e pakushtëzuar e përgjithshme, pra pa një destinacion të përcaktuar, ndërsa 13.8 miliardë lekë do të jenë transfertë e pakushtëzuar sektoriale, të orientuara drejt funksioneve të veçanta.
Pjesa tjetër do të përdoret për grantin e performancës dhe për rritjen e pagave në administratën vendore.

Sipas ndarjes, Tirana është përfituesja më e madhe, me mbi 6.5 miliardë lekë, e ndjekur nga Durrësi me 2.5 miliardë lekë, Elbasani me 1.8 miliardë, Shkodra me 1.7 miliardë dhe Kamza me 1.5 miliardë lekë.
Në vijim renditen Korça dhe Lushnja, ndërsa bashkitë me popullsi më të vogël do të përfitojnë fonde më modeste — Vlora 1.6 miliardë lekë, Berati 1 miliard, Mati 588 milionë, Cërriku 435 milionë dhe Tepelena 306 milionë lekë.

“75% e fondeve shkojnë për paga e shpenzime operative”

Drejtori i Institutit të Bashkive, Agron Haxhimali, thotë se ndarja e buxhetit duhet të jetë më transformuese dhe të ndikojë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve.

“Përveç këtij pozitiviteti, është me rëndësi se sa ky buxhet është transformues i jetës së qytetarit — sa përmirëson rrugët, infrastrukturën, jetën rurale dhe mbajtjen e të rinjve e fermerëve në zonat e tyre. Ndarja aktuale e buxhetit tregon se për çdo 100 lekë, gati 75 shkojnë për paga, sigurime dhe shpenzime, ndërsa vetëm 20% për investime,” — u shpreh Haxhimali.

Sipas tij, duhet kujdes që rritja e volumit buxhetor të mos përkthehet vetëm në shpenzime operative, por të detyrojë bashkitë të rrisin portofolin e investimeve për zhvillim afatgjatë.

Fokus në arsimin parashkollor dhe mbrojtjen nga zjarret

Paratë e ndara do të përdoren kryesisht për arsimin parashkollor, rritjen e pagave, shërbimet zjarrfikëse, ujitjen dhe kullimin, si dhe për menaxhimin e mbetjeve urbane — një ndër sfidat kryesore të bashkive.

Kërkesa për një formulë të re financimi

Ekspertët e pushtetit vendor propozojnë ndryshimin e formulës së shpërndarjes së buxheteve, me qëllim që zonat rurale dhe malore të përfitojnë më shumë fonde, për shkak të vështirësive infrastrukturore dhe varësisë së tyre nga bujqësia.

“Fakti që zonat rurale janë më të disfavorizuara, do të thotë që kanë nevojë për më shumë mjete financiare. Do ta propozojmë në Komisionin e Ligjeve që zonave rurale dhe malore, me koeficient më të ulët infrastrukture dhe që mbështeten në bujqësi, t’u jepet buxhet më i madh,” — shtoi Haxhimali.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat