Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar nga burgu ndaj deklaratave të ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari, i cili në Parlament tha se “nuk ka patur persekutim politik për Ilir Metën”.
Me anë të një postimi në Facebook, ish-presidenti i Republikës ironizon Lamallarin duke e quajtur “Diella e Drejtësisë” dhe ngrit shqetësime serioze për kushtet në burgje.
“Dëgjova ‘Diellën’ e Drejtësisë që fliste për situatën në burgje dhe meqë nuk e di po e njoftoj që vetëm dje ka ikur 42 herë energjia elektrike te IEPV ‘Jordan Misja’, jo vetëm për mua, por për rreth 500 të burgosur e të paraburgosur që ndodhen këtu”, shkruan Meta.
Ish-presidenti shton se në burg ka vetëm 3 orë ujë në ditë, se qytetarët vdesin për mungesën e trajtimit të duhur shëndetësor si dhe gardianët, sipas tij nuk kanë marrë asnjë shpërblim për punën jashtë orarit, as ushqim, as trajtim sipas ligjit.
“E ç’mund të presësh nga ‘Diellat’? Ato janë pjellë e AKSHI-t, simbolit të korrupsionit skizofrenik”, shton Meta, duke sulmuar institucionet përgjegjëse.
Sa i takon respektimit të të drejtave të tij, Meta thekson se ende nuk i është dorëzuar vendimi i zbardhur i dënimit të tij të dytë, të dhënë më 2 korrik 2025 nga IEPV “Jordan Misja”, për çështje që lidhen me lirinë e fjalës.



