Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka bërë të ditur se shpërndarja e bonusit të fundvitit për pensionistët ka nisur me ritme të larta. Sipas saj, vetëm në dy ditët e para, mbi 42,631 pensionistë në të gjithë vendin kanë përfituar bonusin që varion nga 10,000 deri në 15,000 lekë.
“Pensionistët në të gjithë vendin vijojnë të tërheqin bonuset e fundvitit në masën 10,000 – 15,000 lekë. Vetëm në 2 ditët e para janë tërhequr 42,631 bonuse. Bonusi i fundvitit është një mbështetje e Qeverisë për mbi 762 mijë përfitues në të gjithë vendin”, shkruan ministrja në rrjetet sociale.
Shpërndarja e bonusit ka nisur zyrtarisht më 1 dhjetor 2025, së bashku me pagesat mujore të pensioneve. Për pensionistët që e marrin pensionin në bankë, bonusi do të kreditohet më 20 dhjetor, së bashku me këstin e radhës.
Sipas vendimit të qeverisë:
Pensionistët me pension nën 20 mijë lekë përfitojnë 15,000 lekë bonus.
Pensionistët me pension mbi 20 mijë lekë marrin 10,000 lekë bonus.
Përfitues janë të gjithë pensionistët aktualë, si dhe ata që plotësojnë kushtet për pension deri më 31 dhjetor 2025, përfshirë personat që ende janë në punë.
Afati për të tërhequr bonusin është zgjatur deri më 30 qershor 2026, duke u dhënë pensionistëve gjashtë muaj kohë për ta përfituar këtë mbështetje financiare.



