Pas më shumë se pesë orësh qëndrimi në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Arbër Veliaj, vëllai i kryetarit të arrestuar të Bashkisë së Tiranës, u largua nga institucionet e drejtësisë.
Në një deklaratë të shkurtër për mediat, Veliaj theksoi se kishte shkuar me dëshirë për të bashkëpunuar me organin e drejtësisë.
“Erdha vullnetarisht për të shprehur bashkëpunimin tim me institucionin”, tha ai.
Tre javë më parë, Gjykata e Posaçme e Apelit rrëzoi ankimimin e tij kundër kontrolleve të SPAK, të kryera në dhjetor 2024, që përfshinin banesën dhe ambientet e bizneseve që zotëron.