Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar ligjin për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme. Pas dekretimit dhe botimit në Fletoren Zyrtare, ligji do të hyjë menjëherë në fuqi, duke hapur rrugë për procesin e rivlerësimit në të gjithë vendin.
Sipas ligjit të ri, nga janari deri në dhjetor të vitit 2026, i gjithë territori i Shqipërisë do të përfshihet në fushatën e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme. Norma tatimore për këtë proces do të jetë 5%, krahasuar me normën aktuale prej 15% që aplikohet në rast të shitjes së pronës. Tatimi paguhet për diferencën midis vlerës së regjistruar në kadastër dhe vlerës së shitjes.
Ky rivlerësim shënon një ndryshim të rëndësishëm, pasi për herë të parë do të njihet amortizimi i pronave, duke marrë parasysh vjetërsinë e pronës; sa më e vjetër të jetë prona, aq më pak do të paguhet tatim pas rivlerësimit.
Ligji i ri parashikon gjithashtu rritjen e vlerës së pronave në të gjithë vendin, përveç Tiranës, me çmimet e reja të referencës që janë konsultuar gjatë këtij viti.
Rivlerësimi i fundit u zhvillua gjatë periudhës 2020-2022, me normë tatimore 3%, dhe përfshiu rreth 94 mijë pasuri të paluajtshme të qytetarëve dhe bizneseve. Nga ajo fushatë, buxheti i shtetit përfitoi 138.6 milionë euro, për shkak të normës së ulët dhe rritjes së çmimeve në treg.
Ky proces synon të përshtasë vlerat e pasurive me realitetin e tregut dhe të rrisë të ardhurat tatimore të shtetit, duke ofruar një instrument më të drejtë dhe të harmonizuar për qytetarët dhe bizneset.



