Këshilli Bashkiak i Tiranës ka votuar sot me shumicë dërrmuese pro shkarkimit të kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili ndodhet në burg që prej muajit shkurt, pas akuzave të SPAK për korrupsion dhe abuzim me detyrën.
Pas diskutimeve dhe fjalës së kryetarëve të grupeve të këshilltarëve, propozimi i Partisë Socialiste për shkarkimin e Veliajt u hodh në votim dhe mori 51 vota pro, duke bashkuar në qëndrim mazhorancën dhe opozitën.
Në mbledhje munguan tre anëtarë të këshillit bashkiak: Anuela Ristani, kryetare e komanduar, si dhe këshilltarët e majtë Gazmend Paja dhe Joleza Koka. Po ashtu, këshilltarët Aldo Merkoci dhe Alfred Muharremi nuk morën pjesë në procesin e votimit.
Vendimi për shkarkimin e Veliajt u mbështet nga Partia Socialiste, Partia Demokratike, Nisma Thurrje dhe PS Nisma, ndërsa Lëvizja për Zhvillim Kombëtar dhe Bindja Demokratike nuk u përfshinë në votim.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës kishte kërkuar më herët të ishte i pranishëm në mbledhje për të dhënë shpjegimet e tij, por kërkesa e tij nuk u pranua. Sekretari i Këshillit Bashkiak, Behar Zeneli, e informoi se mund t’i paraqiste pretendimet me shkrim, nëse nuk arrinte të merrte pjesë fizikisht.
Me këtë vendim, posti i kryebashkiakut të Tiranës shpallet zyrtarisht vakant, ndërsa procesi i emërimit ose zgjedhjes së drejtuesit të ri pritet të jetë hapi i radhës në një situatë të pazakontë politike e institucionale për kryeqytetin.