Rreth 55% e shqiptarëve e perceptojnë të vështirë përballimin e shpenzimeve të përditshme, duke u radhitur ndër vendet me niveli më të lartë të varfërisë subjektive në Europë. Kjo shifër është dukshëm më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, ku vetëm 17.4% e europianëve ndihen të varfër.
Në rajon, situata është pak më e mirë: 34% e serbëve, rreth gjysma e malazezëve dhe gati gjysma e maqedonasve ndihen të varfër. Ndërkaq, rekord i këtij perceptimi mbahet nga grekët, ku 67% e popullsisë ndjehet e varfër.
Çfarë është varfëria subjektive?
Eurostat përdor konceptin e varfërisë subjektive, i cili mat perceptimin personal të njerëzve mbi aftësinë për të përballuar shpenzimet e përditshme. Ky tregues plotëson matjet tradicionale të varfërisë, si rreziku për të qenë i varfër, mungesa e rëndë materiale dhe sociale, apo jetesa në familje ku pak ose aspak persona nuk punojnë.
Përmes pyetjes: “Sa e keni të lehtë ta përballoni fundin e muajit?”, të anketuarit mund të përgjigjen në gjashtë shkallë: Me shumë vështirësi, Me vështirësi, Disi vështirësi, Mjaft lehtë, Lehtë, Shumë lehtë. Përkufizimi i Eurostat-it konsideron si pjesë të varfërisë subjektive ata që zgjedhin “Me shumë vështirësi” ose “Me vështirësi”.
Diferenca mes perceptimit dhe matjeve zyrtare
Sipas INSTAT, në vitin 2024 treguesi i rrezikut për të qenë i varfër në Shqipëri ishte 19,2%, duke shënuar një rënie prej 0,6 pikë përqindje nga viti 2023. Një person konsiderohet në rrezik për të qenë i varfër nëse ka të ardhura nën 60% të mesatares kombëtare, që për vitin 2024 është vlerësuar 324.336 lekë.
Megjithatë, perceptimi i shqiptarëve për varfërinë është shumë më i lartë se niveli monetar i varfërisë, duke kapur mbi 50% të popullsisë. Ky perceptim afrohet më shumë me treguesin e varfërisë dhe përjashtimit social, sipas të dhënave të fundit të INSTAT, që përfshin 40,5% të popullsisë që plotësojnë të paktën një nga këto kritere:
Janë në rrezik të varfërisë monetare;
Kanë mungesa materiale ose sociale të rënda;
Jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët pune.
Të dhënat tregojnë se, megjithëse matjet monetare reflektojnë një varfëri rreth 20%, perceptimi i shqiptarëve mbi vështirësitë ekonomike është më i madh, duke nxjerrë në pah problemet e përditshme të familjeve shqiptare në përballimin e shpenzimeve bazë dhe të jetës së përditshme.



