Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur dy tenderë me një fond limit prej 6 miliardë lekësh për ndërtimin e një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në vend – Bypass-in e Tiranës. Projektet përfshijnë ndërtimin e rrugës Kashar – Nyja Vaqarr, në dy faza të ndara, që synojnë të lidhin drejtpërdrejt autostradën Durrës–Tiranë me atë Tiranë–Elbasan, duke shmangur hyrjen në kryeqytet.
Me një gjatësi totale prej 21.6 kilometrash, bypass-i do të përshkojë pjesën jugore, jugperëndimore dhe perëndimore të Tiranës, duke filluar nga City Park në Kashar e duke përfunduar në Mullet. Traseja do të ketë dy korsi në çdo drejtim, gjerësi 10.5 metra dhe shpejtësi të lejuar deri në 120 km/h.
Rruga do të ndërtohet në një terren të kombinuar fushor dhe kodrinor, ku janë parashikuar vepra madhore inxhinierike si ura mbi lumin Erzen, një tunel në zonën e Rrogozhinës dhe tre nyje kryqëzimi me rrugë kombëtare ekzistuese. Këto nyje do të lidhin bypass-in me zonën e Plepës (autostrada Durrës–Tiranë), Kashar–Rrogozhinë dhe Tiranë–Elbasan.
Gjurma e rrugës kalon përmes zonave bujqësore dhe përfshin fshatrat Allgjatë, Picallë dhe Stërmas, ku pritet edhe ndikim i drejtpërdrejtë në zhvillimin rural dhe urban të këtyre zonave.
Përveçse synon të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin ndërqytetas, bypass-i i Tiranës pritet të sjellë përfitime të dukshme mjedisore e urbane, duke ulur trafikun e rëndë brenda kryeqytetit, nivelin e ndotjes dhe numrin e aksidenteve në rrugët urbane.
Ky projekt konsiderohet strategjik për zhvillimin e qëndrueshëm të infrastrukturës rrugore në Shqipëri dhe për afrimin me standardet e transportit të BE-së.