back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 18 Janar, 2026
spot_img
KreuAktualitet6 milionë dollarë në qiell/ Misteri i satelitëve Albania 1 dhe Albania...

6 milionë dollarë në qiell/ Misteri i satelitëve Albania 1 dhe Albania 2

Etleva Skonja

Në janar të vitit 2023, Shqipëria u rendit mes vendeve që kanë dërguar satelitë në hapësirë. Me një video spektakolare nga baza Cape Canaveral në Florida, Kryeministri Edi Rama shpalli me krenari nisjen e dy satelitëve: Albania‑1 dhe Albania‑2.

Sipas qeverisë, misioni i tyre ishte i qartë: të mbikëqyrnin territorin, të ndihmonin luftën kundër kanabisit, ndërtimeve të paligjshme dhe të garantonin sigurinë kufitare.

Por dy vite më pas, pyetja që shtrohet me ngulm është, se a po japin rezultat real këta satelitë për të justifikuar 6 milionë dollarët që janë paguar për ta?

Çfarë u premtua…

Kontrata u lidh në shtator 2022 mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë Satellogic, me qendër në SHBA. Dokumenti parashikonte një marrëveshje 3-vjeçare për përdorimin e imazheve të dy satelitëve me emrat kombëtaristë, Albania‑1 dhe 2.

Në atë kohë, Rama deklaroi:

“Këta satelitë do të na ndihmojnë të shohim gjithçka që ndodh në territor. Lufta kundër kanabisit dhe ndërtimeve të paligjshme do të marrë fund.”

Ai premtoi gjithashtu një “revolucion teknologjik në administrimin e territorit”, duke e konsideruar këtë lëvizje një hap historik për digjitalizimin dhe kontrollin nga lart.

 Çfarë ndodhi në të vërtetë?

Burime të brendshme nga administrata publike, me të cilat u kontaktuan nga “E Vërteta,al”, tregojnë një tjetër realitet.

Imazhet nga satelitët nuk përdoren realisht nga institucionet lokale si INUK, IMT, bashkitë apo Agjencia e Zonave të Mbrojtura.

Një pjesë e mirë e strukturave vendore nuk kanë qasje teknike për të analizuar ose kërkuar imazhe satelitore.

Monitorimi i ndërtimit të paligjshëm vazhdon të bëhet si më pare, me denoncime nga qytetarët dhe verifikime në terren.

Një zyrtar i nivelit të mesëm pranë një institucioni që merret me kontrollin e territorit, në kushte anonimiteti, pohon:

“Ne nuk kemi as platformë të përbashkët, as trajnime. Kemi dëgjuar për satelitët, por nuk i kemi përdorur kurrë për ndonjë rast konkret.”

Transparencë minimale, përfitim maksimal?

Në mungesë të një raporti zyrtar periodik mbi performancën e Albania‑1 dhe Albania‑2, ajo çfarë mbetet është një sërë deklaratash politike dhe disa imazhe të publikuara sporadikisht në rrjete sociale, por jo prova konkrete të efikasitetit.

Deputetët e opozitës, në komisione parlamentare, e kanë quajtur këtë nismë një “mashtrim mediatik dhe shpenzim i panevojshëm për propagandë”.

Ish-Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, në një dalje për mediat tha:

“6 milionë dollarë janë hedhur në erë për të krijuar përshtypjen e një shteti modern, por realiteti është që ndërtime të paligjshme dhe kanabis ka më shumë se kurrë.”

Shqipëria nën satelit,  apo jashtë vëmendjes?

Teknologjia satelitore është një realitet për vende të zhvilluara. Por suksesi i saj nuk matet me lëshimin ceremonial, por me përdorimin sistematik në shërbim të ligjzbatimit, urbanistikës dhe mjedisit. Në mungesë të kësaj zinxhiri funksional – nga të dhënat, te analizimi, te vendimmarrja, satelitët nuk janë gjë tjetër veçse objekte që fluturojnë mbi një shtet që ende kontrollon territorin me drone privatë dhe denoncime në rrjete sociale.

6 milionë dollarë janë paguar, satelitët janë në orbitë, por Shqipëria ende nuk ka një platformë të hapur publike për të parë nëse këta sy nga qielli shohin më shumë se një Google Maps i zakonshëm.

Pyetje pa përgjigje (ende):

Sa ndërtime të paligjshme janë zbuluar nga satelitët që nuk do zbuloheshin pa to?

A është monitoruar ndonjë rast konkret i kultivimit të drogës falë imazheve satelitore?

Kush i administron të dhënat dhe ku janë raportet e transparencës?

A do të rinovohet kontrata kur të mbarojë afati në 2025?

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat