back to top
31.5 C
Tirana
E premte, 20 Qershor, 2025
spot_img
KreuAktualitet60 ligje të bllokuara/ Kuvendi mbyllet për një drekë jashtë vendit?

60 ligje të bllokuara/ Kuvendi mbyllet për një drekë jashtë vendit?

Seanca e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë u hap me tone të ashpra politike dhe akuza të drejtpërdrejta, pasi kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, akuzoi kryeparlamentaren Elisa Spiropali se mungoi javën e kaluar jo për të marrë pjesë në samitin në Ukrainë – siç ishte deklaruar – por për një udhëtim privat në Greqi.

“Për ta trajtuar Kuvendin si shtëpinë tuaj personale për të ngrënë drekë në Greqi, nuk është sjellje e mbështetur në rregullore, por një shfaqje arrogance që kalon kufijtë e sjelljes suaj të përditshme”, deklaroi Bardhi. Ai akuzoi më tej se janë bllokuar rreth 60 nisma ligjore të deputetëve, duke iu referuar mungesës së vullnetit për t’i futur ato në rendin e ditës, ndonëse jemi vetëm një muaj larg përfundimit të sesionit parlamentar.

“Uroj që t’ju ketë shijuar dreka në Athinë dhe të ketë vlejtur bllokimi i punimeve”, vijoi Bardhi në mënyrë ironike, ndërsa salla e Kuvendit u trazua nga replikat.

Spiropali reagon: “E kam zëvendësuar me nënkryetarët, mungesat ishin të përgjithshme”

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, reagoi menjëherë, duke mohuar kategorikisht akuzat dhe duke sqaruar se mungesa e saj nuk ishte arsyeja për shtyrjen e seancës, por ajo lidhej me mospjesëmarrjen e shumë deputetëve për shkak të aktiviteteve paralele parlamentare.

“Më vjen mirë që ndiqni aktivitetin tim në rrjete sociale. Por, siç u diskutua në Konferencën e Kryetarëve, seanca nga 12-16 qershor nuk u shty për shkak të pjesëmarrjes time në samitin Ukrainë-Evropë Juglindore, por sepse shumë deputetë ishin të angazhuar në aktivitete të tjera”, u shpreh Spiropali.

Ajo shtoi se prezenca e saj ishte zëvendësuar nga dy nënkryetarët, siç parashikohet nga neni 7 i Rregullores së Kuvendit, që përcakton detyrën për të garantuar mbarëvajtjen e punimeve parlamentare.

Nisma të bllokuara dhe tension i brendshëm

Përtej përplasjes personale, Bardhi theksoi edhe një problem më të thellë parlamentar: bllokimin e dhjetëra nismave ligjore nga deputetët, për të cilat sipas tij, Kuvendi nuk ka vullnet t’i shqyrtojë. Ai paralajmëroi se ky është një shkelje e drejtpërdrejtë e funksionit të përfaqësimit parlamentar që Kushtetuta i jep çdo deputeti.

Përplasja mes Bardhit dhe Spiropalit nxjerr në pah tensionin e brendshëm politik në Kuvend, ku opozita akuzon shumicën për arrogancë institucionale dhe mungesë transparence, ndërsa mazhoranca e sheh retorikën opozitare si të nxitur nga agjenda personale dhe mungesë e alternativës politike.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat