back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 15 Tetor, 2025
spot_img
KreuDrejtësia60 orë punë për shkelje miliona euro/ Sa vlen fondi publik në...

60 orë punë për shkelje miliona euro/ Sa vlen fondi publik në Shqipëri?

Nga Etleva Skonja

Një tjetër çështje penale për shkelje në tendera përfundon me dënime të buta e pafajësi për shumicën e të pandehurve, në një vendim që ngre pikëpyetje serioze mbi vullnetin për të luftuar korrupsionin në sektorin publik dhe mbi standardin e ndjekjes penale në rastet e abuzimeve me fondet publike.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpalli sot vendimin për çështjen ndaj 10 të pandehurve, ku vetëm katër prej tyre u gjetën fajtorë për “Shkeljen e barazisë në tendera”, ndërsa pjesa tjetër u shpallën të pafajshëm, nën argumentin se “fakti nuk përbën vepër penale”.

Dënime pa burg për krime që dëmtojnë interesin publik

Edhe për të pandehurit që u gjetën fajtorë, mes tyre ish-zyrtarë të institucioneve shtetërore, dënimet ishin minimale: 6 muaj burgim të pezulluar, të shoqëruar me 60 orë punë në interes publik dhe pezullim nga funksionet publike për një vit. Askush nuk do të vuajë dënimin në burg.

Mes të dënuarve rezultojnë emra si Elona Gogo, Sonila Qato dhe Erdit Salillari, të cilët janë shpallur fajtorë për ndërhyrje në procese tenderimi duke shkelur konkurrencën. Por dënimi që morën, praktikisht, nuk përbën pengesë serioze për t’u rikthyer në poste të tjera publike në të ardhmen.

“Shkelja e barazisë në tendera”, krim pa përgjegjësi reale?

Shkelja e barazisë në tendera konsiderohet një nga mekanizmat më të zakonshëm për të favorizuar kompani të caktuara dhe për të kanalizuar fonde publike drejt interesave të ngushta politike apo korruptive. Por pavarësisht seriozitetit të akuzës, vendimet gjyqësore shpesh rezultojnë në zbehje të përgjegjësisë, ose — siç ndodhi edhe këtë herë — në argumentin formal se “fakti nuk përbën vepër penale”, duke liruar nga çdo pasojë penale shumicën e të akuzuarve.

Tenderat si skema të kontrolluara politikisht

Raste të tilla ngrenë dyshime mbi vetë sistemin e prokurimeve publike në Shqipëri. Ekspertët kanë paralajmëruar prej kohësh se shkeljet në tendera janë të institucionalizuara dhe se procedurat përdoren për të favorizuar kompani të lidhura me pushtetin. Ky vendim është shembull konkret sesi sistemi i drejtësisë, në vend që të vendosë precedentin, ofron një rrugë të butë për të shpëtuar individët e lidhur me vendimmarrjen publike.

Faktet që mungojnë në dënime: Pse u paditën fillimisht?

Edhe pse Prokuroria e Posaçme i kishte ngritur akuzat mbi bazën e hetimeve të zgjeruara për manipulime në tendera dhe falsifikim dokumentesh, në fund vetëm dy persona u dënua për “Shkelje tenderash” dhe askush për “Falsifikim dokumentesh” — akuza që shpesh konsiderohen bashkëshoqëruese në abuzimet me tendera.

Kur sistemi i drejtësisë i trajton rastet e korrupsionit me dënime të lehta dhe pa pasoja reale, mesazhi për zyrtarët e tjerë është i qartë: Abuzimi me tendera është një lojë me pak rrezik dhe pa pasoja serioze.

Fondi i publikut, në duar të individëve që nuk përgjigjen para ligjit?

Ky vendim i fundit vjen në një kohë kur perceptimi publik për korrupsionin në prokurimet shtetërore është alarmant. Çdo vit, miliona euro nga taksat e qytetarëve ndahen nëpërmjet tenderave, një pjesë e mirë e të cilëve shoqërohen me akuza për mungesë transparence, konkurencë të simuluar dhe favorizime.

Por ndërkohë që faktet ngrihen, ndëshkimi zbehet — dhe drejtësia, në vend që të jetë garancia për një shtet ligjor, mbetet shpesh një hallkë në sistemin e mbrojtjes së atyre që e abuzojnë pushtetin.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat