Qeveria shqiptare ka miratuar fondin prej 9.4 miliardë lekësh (rreth 97 milionë euro) për shpërndarjen e bonusit të fundvitit për pensionistët, që do të jepet në dhjetor 2025.
Në rishikimin e fundit të buxhetit, qeveria ka shtuar 5.9 miliardë lekë ndaj fondit fillestar prej 3.5 miliardë lekësh, duke e çuar totalin në pothuajse të njëjtin nivel me një vit më parë.
Sipas aktit normativ, bonusi do të shpërndahet sipas fashave të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave.
Pensionistët me pension mbi 20 mijë lekë do të marrin 10 mijë lekë bonus;
Pensionistët me pension nën 20 mijë lekë do të marrin 15 mijë lekë bonus.
Në total, rreth 756 mijë pensionistë pritet të përfitojnë nga kjo ndihmë, përfshirë ata të pleqërisë, invaliditetit, sociale, suplementare dhe të parakohshme për ushtarakët.
Një vit më parë, bonusi përfshiu edhe familjet e vejave dhe fëmijët jetimë, të cilët morën gjithashtu 15 mijë lekë.
Në dhjetor 2024, përveç bonusit të fundvitit, qeveria shpërndau edhe një bonus pranveror që varionte nga 5 deri në 10 mijë lekë.



