Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, është njoftuar ditën e sotme për mbylljen e hetimeve ndaj tij nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), nëntë muaj pas arrestimit të tij.
Burime zyrtare konfirmojnë se SPAK kishte parashikuar komunikimin formal të vendimit këtë të hënë, por procedura nuk u realizua për shkak të mungesës së avokatit mbrojtës të Metës, Kujtim Cakrani, i cili ndodhet jashtë vendit. Ai ka kërkuar disa ditë kohë, duke e cilësuar situatën një “emergjencë pushimesh”.
Në një reagim të menjëhershëm në rrjetet sociale, Ilir Meta deklaroi se nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar nga SPAK për këtë zhvillim. Sipas tij, informacioni i vetëm ka ardhur verbalisht në mëngjes nga një gardian i burgut “Jordian Misja”, ku ai ndodhet në paraburgim.
“Nuk kam patur as ftesë dhe as shkresë zyrtare nga SPAK deri sot në ora 08:30. Gardiani më tha verbalisht se në orën 09:50 më kërkonin te SPAK, pa dhënë asnjë lloj sqarimi,” – shkruan Meta.
Ai shton se komunikimi për në SPAK është i pavlefshëm pa praninë e avokatit mbrojtës, dhe se do të paraqitet në institucion “sapo avokati të jetë i disponueshëm”.
Meta flet për “proces farsë” dhe “hetim të urdhëruar”
Meta e konsideron gjithë hetimin si një proces të motivuar politikisht, të urdhëruar sipas tij nga “tribuna e Asamblesë së Partisë Socialiste”. Ai thekson se është i gatshëm për gjykim dhe përballje, duke e konsideruar rastin si “hetim të stërzgjatur që prej dhjetorit të vitit 2019”.
Në përfundim të deklaratës, Meta përmend:
ZERO fakte penale
ZERO prova penale
ZERO dëm ndaj shtetit
ZERO pasuri të paligjshme
Në ditët në vijim pritet që avokati të paraqitet pranë SPAK për të marrë zyrtarisht materialet e hetimit dhe aktin e përfundimit të tij, një hap që i hap rrugën kërkesës për gjykim në Gjykatën e Posaçme.
Meta akuzohet nga SPAK për pastrim parash, shpërdorim detyre dhe deklarim të rremë të pasurisë, por deri më tani, çështja ka qenë e shoqëruar nga tensione politike dhe deklarata kontradiktore mes palëve.



