back to top
10.5 C
Tirana
E mërkurë, 15 Tetor, 2025
spot_img
KreuDrejtësia“900 nene dhe një vit për t’i kuptuar?"/ Meminaj: Kodi i ri...

“900 nene dhe një vit për t’i kuptuar?”/ Meminaj: Kodi i ri penal është përkthyer si me Google Translate

Avokati i njohur Bledar Meminaj ka shprehur rezerva të forta ndaj projekt-kodit të ri penal, gjatë një interviste në emisionin “Debat”. Ai e cilësoi procesin si të papërgatitur dhe vetë dokumentin ligjor si të ngarkuar, të paqartë dhe me përkthim të dobët, duke paralajmëruar pasoja serioze në zbatimin praktik të tij.

Sipas Meminajt, Kodi i ri përmban rreth 900 nene dhe kjo e bën të pamundur për profesionistët ligjorë, përfshirë gjyqtarët dhe avokatët, që ta përvetësojnë ose ta zbatojnë në mënyrë të qartë dhe efikase.

“Minimalja, kjo duhej të ndahej në faza që të adaptohej shoqëria. Si mund të veprojmë me 900 nene? Edhe ne që jemi profesionistë dhe gjyqtarët që marrin vendime, e mbajnë kodin përpara, sepse nuk i mbajnë dot të gjitha përmendësh,” u shpreh ai.

Një tjetër problem i rëndësishëm, sipas Meminajt, është përkthimi i projekt-kodit, që sipas tij është bërë në mënyrë sipërfaqësore dhe pa kujdes gjuhësor.

“Për mua është përkthyer keq. Diku është marrë nga një gjuhë e huaj, por është përkthyer sikur është përdorur Google Translate, pa u lodhur fare. Bie ndesh paragrafi me paragrafin,” theksoi ai.

Ai ngriti gjithashtu shqetësim për afatin që është lënë për konsultime publike dhe profesionale mbi draftin e ri. Sipas tij, një vit kohë është i pamjaftueshëm për të analizuar dhe përthithur një dokument kaq të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë.

“Nëse do të kemi vetëm një vit kohë për konsultim, është shumë pak. Si jurist, kjo është çështja thelbësore për mua,” shtoi Meminaj.

Qëndrimi i tij vjen në një kohë kur projekt-kodi i ri penal është duke u diskutuar mes institucioneve ligjzbatuese dhe aktorëve të drejtësisë, por gjithashtu ka ngjallur kritika edhe nga juristë të tjerë për mungesë transparence, përfshirjeje dhe koherence ligjore.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat