Llogaridhënia dhe integriteti i partive politike janë të lidhura kryesisht me integritetin e kandidatëve, zyrtarëve drejtues, nivelin e demokracisë së brendshme dhe transparencës, si dhe me mënyrën sesi partitë reagojnë ndaj rasteve të hetimit për zyrtarët e tyre për vepra të ndryshme penale. Gjatë vitit 2024 SPAK ishte institucioni me besimin më të lartë publik, por ndërkohë në të njëjtin vit u rrit ndjeshëm retorika e partive politike kundër SPAK dhe drejtuesit të tij. Nga monitorimi i ISP rezulton se sa më shumë ka pasur hetime dhe masa të avancuara të SPAK kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë politikë dhe ekzekutivë, aq më shumë është rritur edhe kurba e sulmeve politike ndaj SPAK. Kjo dëshmon hendekun e thellë midis vullnetit politik të deklaruar për reformën në drejtësi dhe sjelljes reale kur partitë ndeshen me llogaridhënien dhe pasojat e përballjes me drejtësinë në fushën e antikorrupsionit.
Sipas monitorimit të ISP-së Gjatë këtyre pesë viteve SPAK ka proceduar 1809 çështje penale, nga të cilat 61 janë zyrtarë të nivelit të lartë, 70% e tyre janë dërguar për gjykim. Këtu përfshihen dy ish-kryeministra, disa ish-ministra, deputetë dhe kryebashkiakë që kanë shënjuar tranzicionin politik të Shqipërisë në tre dekada. Në këtë kontekst SPAK e ka ndihmuar procesin e dekriminalizimit duke hetuar në mënyrë më të sofistikuar dhe të vendosur korrupsionin në nivele të larta dhe krimin e organizuar, duke prodhuar kështu produkte konkrete në procesin e dekriminalizimit. SPAK po i paraprin jetësimit integral të parimeve të ligjit të dekriminalizimit, duke dhënë shenja të forta për pastrimin e politikës dhe shtetit nga individët me rekorde korruptive dhe kriminale.
Nga të dhënat e mbledhura nga ISP, pavarësisht këtij bilanci të SPAK, fryma antikorrupsion dhe ajo e standardeve të integritetit nuk është jetësuar ende te partitë politike. Një pjesë e mirë e akteve vetërregulluese në partitë politike, institucionet përfaqësuese mbetën formale dhe, për rrjedhojë pa efektin e kërkuar integral nga ligji i dekriminalizimit. Për më tepër, partitë joparlamentare, si dhe zonat e largëta elektorale në nivel vendor u bënë strehë e personave të botës së krimit për shkak të vëmendjes së ulët të medias, opinionit publik dhe pragmatizmit politik. Në anketimet tona rezulton se opinioni publik në masën dërrmuese inkurajon strukturat partiake që t’i largojnë nga veprimtaria politike deputetët që akuzohen apo që ndaj tyre ka vendime gjyqësore. Mirëpo, partitë politike për arsye pragmatiste, mungesë etike, injorimi të vendimeve gjyqësore dhe klasifikimi i tyre si të instrumentalizuara politikisht ju ka mundësuar më së shumti një strategji mbrojtje dhe justifikimesh.
Kultura e dorëheqjes së përkohshme apo e ngrirjes së ushtrimit të funksioneve deri sa të rrëzohet akuza me një vendim të formës së prerë nga ana e gjykatës nuk është zakon sjellje apo praktikë. Në përvojën 34 vjeçare të pluralizmit politik mungojnë precedentët apo akoma më pak, praktikat e mira që anëtarë apo lider partie kur përballen me akuza nga ana e organeve të drejtësisë të vetdorëhiqen për të mos e transferuar koston e tyre personale në kosto për partinë ku aderojnë apo drejtojnë. Përkundrazi, partia ose pushteti përdoret si mburojë për problemet apo çështjet personale. Madje, strategjia e mbrojtjes shndërrohet në strategji për forcën politike duke atakuar institucionin apo drejtuesin e institucionit që adreson akuzën.
Pavarësisht progresit në procesin e dekriminalizimit të politikës dhe institucioneve shtetërore, jetësimi gjithëpërfshirës i parimeve të dekriminalizimit mbart akoma plot sfida.
- Së pari, partitë politike në tërësi kanë bërë pak për integrimin konkret të praktikave parandaluese në statute, rregullore apo kod etik të sjelljes. Njëkohësisht, mungon kultura e distancimit apo vendosja e praktikave të dorëheqjes në rast akuze nga organet e drejtësisë deri në pushimin e akuzës ndaj tyre. Interesat e ngushta politike, kapitalizimi i lidhjeve informale me individë të korruptuar, klientelizmi dhe sistemi i patronazhit në emërimin e funksionarëve publikë ka penguar jetësimin e praktikave të mira ndëshkuese me natyrë morale dhe politike në jetën politike.
- Së dyti, procedimi dhe rënia eventuale në rrjetën e dekriminalizimit të zyrtarëve të niveleve të larta në krahun e opozitës ka bërë të mundur ashpërsimin e retorikës politike kundër institucioneve të drejtësisë. Kreu i SPAK është sulmuar nominalisht nga politikanë të lartë të PD, PL dhe PR, të cilët janë vendosur nën hetim apo masa sigurie nga SPAK si të dyshuar për korrupsion. Intensifikimi i retorikës kundër SPAK sinjalizon se do të ketë rezistencë ndaj efekteve të ligjit të dekriminalizimit në rast masash gjyqësore ndaj figurave që janë nën hetim ose do të hetohen në vazhdimësi. Distancimi apo dorëheqja nga ushtrimi i funksioneve drejtuese apo administrative partiake deri në një vendim të formës së prerë të institucioneve të drejtësisë as nuk imagjinohet. Përkundrazi shpesh përdoret partia si mburojë për ti bërë rezistencë organeve të drejtësisë.
- Së treti, goditja e kulturës së pandëshkueshmërisë në nivele të larta ka nxitur përpjekje për të minuar punën e SPAK dhe institucioneve të reja të drejtësisë në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta. Kjo do të duket nëse forcat politike në prag fushate elektorale do të bashkojnë votat për të miratuar fillimin e punës për Komisionin i, ose siç njihet ndryshe Komisioni Xhafa, pa u dakordësuar me faktorin lokal dhe atë ndërkombëtar. Momenti i dytë kritik mund të jetë mos miratimi i ndryshimeve kushtetuese që nuk lejojnë të drejtën e rikandidimit të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Pavarësisht se një gjë të tillë e ka kërkuar Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Ambasadori I deleguar në Shqipëri i Bashkimit Evropian.
- Së katërti, opinion publik në masën dërrmuese inkurajon strukturat partiake që ti largojnë nga veprimtaria politike deputet që akuzohen apo ndaj tyre ka vendime gjyqësore. Mirëpo, partitë politike për arsye pragmatiste, mungesë etike, injorimi të vendimeve gjyqësore dhe klasifikimi i tyre si të instrumentalizuara politikisht ju ka mundësuar më së shumti një strategji mbrojtje dhe justifikimesh sesa përjashtimesh/mbyllje karriere për cilin do që ndaj tij ka një akuzë nga organet e drejtësisë apo vendim të formës së prerë./ ISP