Kuvendi i Shqipërisë ka ankimuar vendimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për dy projektligjet, “Për paketën e maleve” dhe “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”. KQZ kërkoi që dy nismat ligjore të mos përfshihen për shqyrtim, pasi fusha e veprimit të dy projektligjeve prekin politika të rëndësishme fiskale.
Sipas KQZ-së ndryshimet e propozuara kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në sektorin ekonomik dhe atë tregtar, çdo veprim në këtë drejtim mund të dëmtojë parimin e barazisë mes aktorëve ekonomikë në prag të zgjedhjeve. Po ashtu nënvizon KQZ ato mund të krijojë perceptimin e përdorimit të mjeteve ligjore për qëllime elektorale.
Por në ankimimin e Kuvendit të Shqipërisë theksohet se vendimi i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, është i padrejtë, i pabazuar në ligj dhe bie në kundërshtim me nenin 91, pika 4 të Kodit Zgjedhor.
Në ankimimin dërguar Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve thuhet se “propozimi i projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 92, datë 24.07.2014, ‘për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, është një kërkesë e anëtarëve të komisionit për Ekonominë dhe Financat dhe jo vetëm, që prej vitit 2019 kur u vendos skema aktuale mbajtja e TVSH- së në masën 20% mbi shitjet, ndërkohë që blerjet nga fermerët kryhen me 0%, për shkak se kjo skemë cenon parimin e drejtësisë fiskale dhe krijon një terren që favorizon informalitetin dhe humbjet ekonomik”.
Sipas Kuvendit shumë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë nga të gjitha krahët, ndër vite e kanë kërkuar këtë skemë, pra nuk jemi aspak në kushtet e një kërkese elektorale.
“Projektligji synon përmirësimin e kuadrit rregullator për aplikimin e tatimit mbi vlerën e shtuar në sektorin e bujqësisë, duke propozuar një mekanizëm të ri për përllogaritjen e TVSH-së në rastet kur realizohen transaksione me autofaturim ndërmjet fermerëve dhe personave të tatueshëm. Ai synon të eliminojë disa dizbalanca fiskale ekzistuese, të cilat kanë krijuar vështirësi për fermerët dhe bizneset e përfshira në sektorin e tregtimit dhe përpunimit të produkteve bujqësore (grumbulluesit. përpunuesit dhe tregtarët vendas) duke vënë në rrezik trajtimin e barabartë të subjekteve ekonomike. Ky projektligj nuk parashikon ulje të taksave në një mënyrë që mund të interpretohet si favorizim elektoral, por synon të krijojë një trajtim të drejtë fiskal për një sektor që është i rëndësishëm për ekonominë kombëtare”, thuhet në ankimin e Kuvendit.
Sa i përket projektligjit “Për Paketën e Maleve” sipas Kuvendit nuk bie ndesh/cenon me nenin 91 pika 4 të Kodit Zgjedhor.
“Projektligji “Për Paketën e Maleve” ka për qëllim rregullimin e një çështjeje të rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe territorial të zonave malore. Ai synon të vendosë një kuadër ligjor për menaxhimin dhe zhvillimin e pasurive të paluajtshme në këto zona, duke krijuar rregulla të qarta për posedimin dhe përdorimin e tyre. Projektligji nuk përfaqëson një akt që krijon përfitime të drejtpërdrejta financiare për qytetarët, por me një reformë administrative që synon të adresojë problematika të mbartura prej kohësh në zonat malore”, thuhet në ankimimin e bërë nga Kuvendi.
Sipas Kuvendit “projektligji nuk parashikon shpërndarje të drejtpërdrejtë të fondeve publike për kategori të veçanta të qytetarëve dhe as nuk krijon një skemë favorizimi për ndonjë grup specifik të popullsisë”.
Sipas Kuvendit Rekomandimi i Komisionerit është i gabuar.
“Komisioneri në arsyetimin e vendimit pretendon se ndryshimet e propozuara në dy ligjet e sipërcituara dhe analizuara, kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në sektorin ekonomik dhe atë tregtar dhe se çdo veprim në këtë drejtim mund të dëmtojë parimin e barazisë mes aktorëve ekonomikë. Ky argument është spekulativ dhe nuk bazohet në një analizë konkrete të ndikimit të dy projektligjeve. Nuk ka asnjë provë që këto masa do të krijojnë pabarazi ekonomike në prag të zgjedhjeve, për më tepër kur bëhet fjalë për politika të përgjithshme të zhvillimit ekonomik”, thuhet në ankimimin e Kuvendit.
“Argumenti se këto projektligje mund të krijojnë perceptimin e përdorimit të mjeteve ligjore për qëllime elektorale është gjithashtu i pasaktë. Perceptimi subjektiv nuk mund të shërbejë si bazë për kufizimin e të drejtave kushtetuese legjislative të Kuvendit”, thuhet më tej në ankimim.
Kuvendi thekson më tej se “ndalimi i miratimit të një projektligji nuk mund të mbështetet vetëm në mundësinë e një perceptimi të gabuar, por duhet të bazohet në fakte konkrete që tregojnë ndikimin e tij real në procesin zgjedhor”.
Konkretisht Kuvendi kërkon “shfuqizimin e vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve; Konstatimin se asnjëri prej projektligjeve të sipërpërmendur nuk bie ndesh me nenin 91, pika 4, të Kodit Zgjedhor; Lejimin e vijimit të procedurave parlamentare për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjeve në fjalë pa kufizime të pajustifikuara”.