back to top
19.5 C
Tirana
E martë, 29 Prill, 2025
spot_img
KreuAktualitetEkonomia“Ekonomia shqiptare do të rritet 3.2% këtë vit”/ BB: Nuk “preket” nga...

“Ekonomia shqiptare do të rritet 3.2% këtë vit”/ BB: Nuk “preket” nga pasiguria e politikave tregtare globale

Ekonomia e Shqipërisë parashikohet të rritet me 3,2% në vitin 2025 dhe 3,1% në 2026, pavarësisht pasigurisë së politikave tregtare globale dhe ndryshimeve që po ndodhin në perspektivën globale”. Sipas raportit të pranverës, të publikuar nga Banka Botërore, kjo rritje ekonomike e parashikuar ka gjasa të ndikojë në uljen e varfërisë në vendin tonë, teksa do të mbështetet nga rritja e konsumit, investimeve dhe të ardhurave nga turizmi.

Ndërkohë, sipas menaxherit në detyrë të Bankës Botërore për Shqipërinë Richard Record “për të mbështetur qëndrueshmërinë e rritjes së saj ekonomike, Shqipëria duhet të vazhdojë zbatimin e reformave që synojnë rritjen e produktivitetit, përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe ndërtimin e një shteti digjital, duke u integruar më tej me vendet fqinje dhe Bashkimin Evropian”.

Paralelisht, Banka Botërore bën me dije se rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor parashikohet të ngadalësohet me ritëm të moderuar në vitin 2025, për shkak të kërkesës së jashtme më të ulët si dhe pasigurisë ekonomike të krijuar si rezultat i ndryshimeve që po ndodhin në politikat tregtare globale.

Pasiguria në tregtinë globale ka gjasë të prekë Ballkanin Perëndimor, kryesisht si rrjedhojë e ngadalësimit të aktivitetit ekonomik në zonën e euros. Ky ngadalësim mund të pakësojë tregtinë e mallrave dhe shërbimeve, si dhe investimet dhe dërgesat të cilat mund të ndikojnë në besimin e bizneseve dhe të konsumatorëve”, – thuhet në Raportin e Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor.

Raporti sugjeron se strategjitë më efikase për ruajtjen e stabilitetit ekonomik gjatë periudhave të pasigurisë ekonomike janë diversifikimi i burimeve të rritjes dhe rinovimi i agjendës së reformave strukturore. Masat kryesore përfshijnë eliminimin e barrierave në tregun e punës, përfshirë ato që prekin grate, forcimin e integrimit ekonomik rajonal, përmirësimin e standardeve të qeverisjes dhe rritjen e konkurrencës në treg.  Veç kësaj, përshpejtimi i zbatimit të reformave të anëtarësimit në BE nga vendet e Ballkanit Perëndimor –siç janë anëtarësimi në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) dhe futja e “korsive të gjelbra” për të përmirësuar tregtinë ndërkufitare, mund të nxisin rritjen e mëtejshme të besimit të biznesit, tërheqjen e investimeve dhe krijimin e vendeve të punës.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat