Nga Elva Kurti
Në vitet e fundit, rrjetet sociale shqiptare janë shndërruar në hapësira ku humori shpesh kalon kufijtë e shakasë dhe merr trajtat e bullizmit virtual. Ajo që nis si meme apo si një batutë e pafajshme, shpesh degjeneron në sulme sistematike, ku individë të caktuar bëhen shënjestër e gjuhës ofenduese dhe diskriminuese. Ky fenomen është bërë gjithnjë e më i dukshëm sidomos te të rinjtë, të cilët janë edhe konsumatorët më aktivë të platformave si TikTok, Instagram dhe Facebook.
Në shumë raste, prodhues të përmbajtjes ofenduese janë faqe “meme” që ndjekin viralitetin për të fituar ndjekës dhe të ardhura, duke përdorur talljen dhe denigrimin si formë argëtimi. Në raste të tjera, janë grupe të organizuara që përdorin humorin si armë politike për të diskredituar kundërshtarët. Ajo që për disa duket si shaka e padëmshme, për viktimat shndërrohet në dhunë të përditshme virtuale, duke u bërë burim ankthi, turpi dhe izolimit shoqëror.
Këngëtarja Beatrix Ramosaj është një nga emrat publikë që ka folur hapur për përvojën e saj. Pas daljes nga “Big Brother VIP”, ajo u përball me një valë të fortë komentesh denigruese.

Në një video në Instagram, ajo tha: “Kjo video është për të gjithë personat aty jashtë që bashkë me mua kanë vuajtur nga bullizmi, që janë ndjerë të pambrojtur, të fyer e të turpëruar. Dua të them diçka shumë të qartë: asgjë nuk është justifikim për cyber bullying. As sjellja ime, as zgjedhjet e mia, as gabimet e mia. Unë nuk e meritoj këtë lloj dhune, ti nuk e meriton, askush nuk e meriton.”
Një tjetër rast i ngjashëm është ai i aktivistes Zhaklin Lekatari, e cila gjatë periudhës që ishte opinioniste në “BBV” u shënjestrua, për mendimet dhe qëndrimet e saj feministe.

Pas përfundimit të eksperiencës, ajo tregoi se sulmet nuk kishin lidhje me argumentet, por me stereotipe gjinore dhe paragjykime personale: “Një pjesë e mirë e atyre që shkruanin kundër meje nuk më njihnin fare. E përdorën profilin tim si një shënjestër mbi të cilën të shkarkonin mlllef dhe urrejtje. Të përqeshin për pamjen, të fyejnë si grua, të ulin zërin publikisht, kjo nuk është më shaka, është dhunë.”, është shprehur Zhaklina.
Rasti më i rëndë është ai i Bedrie Lokës, nënë e katër fëmijëve nga Kavaja, e cila i dha fund jetës në vitin 2022, pasi u përball me një fushatë të gjatë ngacmimi në TikTok. Një llogari e hapur në emrin e saj publikonte foto dhe komente fyese që e kthyen në objekt talljeje publike.

Një i afërm i saj tregoi për mediat: “Ajo nuk duronte dot më turpin që po i shkaktohej online. Nuk ishte vetëm familja, ishte gjithë qyteti që e përqeshte. Çdo hap që bënte, ndjente sikur e ndiqnin. Ishte thyer brenda vetes, nuk fliste më, vetëm qante.” Ky rast tronditi opinionin publik dhe tregoi mungesën e mekanizmave të mbrojtjes për viktimat e bullizmit virtual.
Edhe qytetarë të zakonshëm janë bërë viktima të rrjeteve sociale. Një shembull është Vjollca, e njohur nga dalja e saj në emisionin televiziv. Një fjali e saj u shkëput nga konteksti, u bë meme dhe u shpërnda masivisht në rrjet. Për të, kjo përvojë ishte e dhimbshme: “Nuk dija ku të fshihesha. Shkoja në rrugë dhe më shihnin ndryshe. U ndjeva sikur e gjithë Shqipëria po tallej me mua. Ajo fjali nuk e meritonte atë lloj gjykimi.”
Të dhënat e raportit të fundit të iSIGURT.al për vitin 2024 tregojnë përmasat e problemit. Janë raportuar 407 incidente serioze online, një rritje me 66% krahasuar me vitin e mëparshëm. 62% e viktimave ishin vajza, ndërsa grupmoshat më të prekura ishin 15–18 vjeç. TikTok rezulton platforma më problematike, me mbi 200 raste të raportuara. Llojet më të shpeshta të incidenteve lidhen me bullizmin dhe gjuhën e urrejtjes (40%), si dhe me përndjekjet e shantazhin (25%). Tirana kryeson me numrin më të madh të raportimeve.
Sipas Altin Hazizajt, drejtor i CRCA dhe platformës iSIGURT.al, bullizmi kibernetik është bërë një nga fenomenet më shqetësuese për të rinjtë shqiptarë: “Grupmoshat që raportojnë më shpesh janë 11–13 dhe 14–17 vjeç, dhe shumica janë vajza. Dhunuesit më të shpeshtë janë djem të rinj, 14–29 vjeç. Nuk janë më memet e pafajshme, por videot fyese me tekste denigruese dhe gjuhë vulgare që shpërndahen me shpejtësi. Shënjestra nuk janë vetëm individët, por edhe institucionet, sidomos shkollat dhe mësuesit.”

Hazizaj nënvizon se qëllimi kryesor është denigrimi për motive seksuale dhe se tendencat e bullizmit ndërmjet të njëjtës gjini po rriten, duke u bërë gjithnjë më agresive dhe toksike.
Psikologia Ledjona Braho e sheh bullizmin online si një fenomen me pasoja të thella për shëndetin mendor:
“Viktimat shpesh përjetojnë ankth, depresion, izolim dhe humbje të vetëbesimit. Tek adoleshentët kjo manifestohet me rënie të rezultateve në shkollë, vështirësi në përqendrim dhe humbje të motivimit. Disa të rinj arrijnë të kenë edhe mendime vetëdëmtuese. Vajzat preken më shumë nga ankthi e depresioni, ndërsa djemtë shpesh reagojnë me mbyllje ose agresivitet.”
Nga memet e pafajshme tek videot e dhunshme, rrjetet sociale shqiptare po kthehen gjithnjë e më shumë në një hapësirë të pasigurt për individët që guxojnë të mendojnë ndryshe ose që bien pa dashje në qendër të vëmendjes. Pa masa të qarta institucionale, pa rregulla më të forta për platformat dhe pa edukim digjital që nis në shkolla, bullizmi online rrezikon të normalizohet si pjesë e komunikimit publik.



