E kam thënë shpesh dhe faktet tashmë flasin vetë, Vetingu në Shqipëri nuk ka qenë kurrë një proces i pavarur, por një projekt i kontrolluar nga politika dhe i ushqyer nga rrjete mafioze, oligarkike dhe klienteliste.
Në letër, reforma në drejtësi u prezantua si një mision moral për pastrimin e sistemit; në praktikë, ajo u shndërrua në një mekanizëm selektiv, që “pastronte” vetëm ata që s’kishin miq të fortë.
Prova është e qartë dhe publike, anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) institucioni që duhej të garantonte ndarjen përfundimtare të drejtësisë nga korrupsioni kanë pozuar në resortin “Marina Bay”, pronë e lidhur me Luftar Hysën, një person të shpallur “non grata” nga SHBA dhe të cilësuar si pjesë e një rrjeti me ndikim të rrezikshëm.
Në fund të shtatorit 2021, këta “rojtarë të moralit” zgjodhën pishinën ekzotike dhe suitat luksoze të Vlorës për të analizuar katër vitet e punës së tyre.
Luftar Hysa
Në krah të tyre ishin edhe vëzhguesit ndërkombëtarë të ONM-së të cilët, me një minimum etike, refuzuan të flinin në resortin e luksit. Kështu, teksa ndërkombëtarët u strehuan diku tjetër për të ruajtur dinjitetin e procesit, vetingu shqiptar bëri “vetting” për cilësinë e verës dhe pamjen nga deti.
Në çdo vend normal, një foto e tillë do të ishte një skandal institucional; në Shqipëri, është një kujtim i këndshëm. Kjo foto ku komisionerët e vetingut pozojnë në pronën e një “non grata” është provë morale dhe politike e mënyrës se si drejtësia është zhytur në të njëjtën rërë me ata që duhej të hetonte. Ky nuk është një rast i izoluar, është simboli i lidhjes midis pushtetit dhe krimit, midis vendimmarrjes shtetërore dhe kapitalit të pistë që financon “reformat” në Shqipëri.
Në thelb, vetingu dhe mafia nuk u përballën kurrë ata bashkëjetuan. Njëri “pastroi” dosjet, tjetri “pastroi” imazhin. Dhe në fund, të dy dolën të fituar, ndërsa sistemi drejtësisë doli më i varfër në moral dhe më i pasur në fasadë.
Ironikisht, procesi që duhej të “pastrojë” drejtësinë, u pastrua vetë në pishinën e krimit të organizuar.
Në vend që të largonte gjyqtarët e korruptuar, largoi ata që s’kishin mbrojtje politike dhe mbrojtje nga mafia dhe krimi i organizuar.
Në vend që të krijonte besim, krijoi një kastë të re burokratësh të shtrenjtë, që predikojnë moral nga suitat e luksit. Ky është momenti kur “drejtësia e re” tregoi se e kishte harruar drejtësinë, por jo luksin sepse në Shqipëri, reforma në drejtësi nuk bëhet para ligjit, por para atyre që ligjin e blejnë me faturë.
Nëse shohim me sy krahasues, reformat në drejtësi në vendet e tjera të rajonit u mbështetën nga institucione publike dhe fonde shtetërore të kontrolluara. Në Shqipëri, vetingu u bë nëpër hotele private, me sponsorizime të paidentifikuara dhe me lidhje të drejtpërdrejta me biznesmenë nën hetim ose të përfolur për krim të organizuar.
Ky është paradoksi shqiptar, në Europë, vetingu pastron gjyqësorin nga ndikimi politik.
Në Shqipëri, vetingu u kthye në mjet për kontroll politik, duke e përdorur reformën si pajisje filtrimi për kundërshtarët e pushtetit dhe si mjet mbrojtjeje për të përkëdhelurit e sistemit.
Në vend që të raportojnë para publikut shqiptar për rezultatet dhe transparencën, komisionerët e KPK-së raportuan para palmave dhe shampanjës.
Në vend që të japin llogari për pastrimin e drejtësisë, bënë bilancin e suksesit përballë organizatave që pastronin para. Ky është dallimi mes një reforme që shërben qytetarin dhe një reforme që shërben pushtetin: e para zhvillohet në gjykata, e dyta në resort.
Sot, kur shohim fotot e “drejtësisë së re” që feston në pronat e “non grata”-ve, pyetja s’është më kush është i korruptuar, por kush s’e ka ende resortin e vet. Në një vend ku korrupsioni mban kravatë, merr rrogë shteti dhe pozon me buzëqeshje për kamerat, drejtësia është thjesht dekor.
Ky është vetingu shqiptar një proces që nisi si premtim për pastrim, dhe përfundoi si pakt për mbijetesë midis politikës dhe krimit të organizuar.