Kreu i Lëvizjes “Bashkë”, Arlind Qori, ka lënë të hapur mundësinë për të garuar si kandidat për kryetar të Bashkisë së Tiranës në zgjedhjet e ardhshme.
I ftuar në emisionin “Studio Live” me Ermal Qorin, ai tha se vendimi për kandidaturën do të merret nga Këshilli Koordinues i partisë, por shtoi se është i gatshëm të marrë çdo detyrë që i ngarkohet.
“Do të kemi një kandidat, po se kush do të jetë është këshilli koordinues i ‘Lëvizjes Bashkë’ që do të vendosë. Unë jam gati të marrë çdo detyrë që më ngarkohet”, deklaroi Qori.
Duke komentuar emrat e rinj të kabinetit qeveritar, ai u shpreh kritik ndaj zgjedhjeve të kryeministrit Rama, duke i cilësuar ministrat si figura të varura dhe pa personalitet politik.
“Këta njerëz nuk kanë personalitet politik, janë të dobët, të varur për karrierën e tyre nga Edi Rama, sa praktikisht nuk ekzistojnë. Ministri është një figurë politike, jo një administrator i mirë i një fushe”, tha Qori.
Deri më tani, për Bashkinë e Tiranës është shpallur vetëm kandidatura e socialistes Ogerta Manastirliu, ndërsa pritet të mësohen emrat e kundërshtarëve të saj.



