Këtë të martë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) vijoi gjykimi për dosjen e tragjedisë së Gërdec, ku ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu përballet me akuzën për shpërdorim detyre. Çështja që prej vitesh konsiderohet një nga plagët më të mëdha të drejtësisë shqiptare, vazhdon të ngrejë pyetje të forta mbi përgjegjësinë politike dhe institucionale.
Në seancë, përpara gjyqtares Irena Gjoka dhe prokurorit Arben Kraja, mbrojtja e Mediut u përpoq të zhvendosë përgjegjësinë nga niveli politik drejt strukturave teknike të ushtrisë. Avokati Henrik Ligori argumentoi se Ministria e Mbrojtjes ka një strukturë të ndarë mes drejtimit politik dhe Shtabit të Përgjithshëm, duke pretenduar se ministri nuk mund të mbahet përgjegjës për çështje teknike si kalibri i municioneve apo procedurat e transportit.
Megjithatë, kjo linjë mbrojtjeje ngre një dilemë thelbësore. Nëse ministri nuk mban përgjegjësi për vendimet dhe proceset që zhvillohen brenda institucionit që drejton, atëherë ku fillon dhe ku mbaron përgjegjësia politike? Në çdo sistem demokratik, ministri është figura që përgjigjet për politikat, vendimet dhe pasojat që prodhohen nga ministria që drejton.
Dosja e Gërdecit nuk është vetëm një debat teknik për kalibrat e municioneve apo faturat e transportit. Ajo lidhet me një tragjedi që tronditi opinionin publik dhe që për vite me radhë ka mbetur simbol i mungesës së përgjegjësisë në nivelet e larta të shtetit.
Ndërkohë, gjyqtarja Irena Gjoka lexoi vendimin mbi kërkesën e mbrojtjes për përjashtimin e saj nga çështja, duke njoftuar se kërkesa është konsideruar e papajtueshme për shkak të mosrespektimit të afateve procedurale.



