back to top
12.5 C
Tirana
E mërkurë, 15 Tetor, 2025
spot_img
KreuDrejtësiaA është vetëm maja e ajsbergut?/ Pasojat e protestës në Theth, drejtuesit...

A është vetëm maja e ajsbergut?/ Pasojat e protestës në Theth, drejtuesit e Policisë japin llogari

Një tronditje e fortë goditi sot kupolën drejtuese të Policisë së Shkodrës, pas zhvillimeve të fundit në zonën turistike të Thethit dhe akuzave të rënda publike nga banorët për korrupsion e abuzime me ndërtimet pa leje.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka shkarkuar nga detyra drejtorin e Policisë së Shkodrës, Fatmir Lleshi, shefin e Komisariatit, Nik Nikollaj, si dhe shefin e Stacionit të Policisë së Thethit. Vendimi vjen pas një sërë protestash dhe tensionesh në Theth, ku banorët akuzuan publikisht zyrtarë policie se kanë marrë para për të lejuar ndërtimet pa leje.

Një video e publikuar nga vendngjarja bëri xhiron e rrjeteve sociale, ku një banor i zonës iu drejtua shefit të Komisariatit Nikollaj me akuza të drejtpërdrejta për korrupsion. “Ju keni marrë lekë! Ju s’zbatojnë ligjin, por leshin!” – u shpreh qytetari, duke akuzuar zyrtarët lokalë për lehtësimin e ndërtimeve të paligjshme dhe më pas për shembjen selektive të tyre.

Në vend të Fatmir Lleshit, në krye të Drejtorisë Vendore të Policisë së Shkodrës është komanduar Gentian Berberi, i cili ka mbajtur më parë poste drejtuese në Vlorë dhe së fundmi në Kukës. Ndërkohë, në Kukës është emëruar Loard Sallaku, ish-shef i Komisariatit nr. 2 në Tiranë.

Ky ndryshim vjen në një moment kritik, ku besimi i publikut ndaj strukturave të rendit është vënë në pikëpyetje, ndërsa opinioni publik dhe politika presin hetime të mëtejshme për akuzat e ngritura.

Burime brenda Policisë së Shtetit bëjnë me dije se vendimi për shkarkimin e menjëhershëm është marrë pas një analize të hollësishme të situatës në terren dhe për të ruajtur integritetin institucional të policisë.

A do të nisë SPAK hetime mbi akuzat e ngritura në Theth? Ende nuk ka një reagim zyrtar nga Prokuroria e Posaçme.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat