Zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, ka denoncuar mungesën e transparencës lidhur me udhëtimin e kryeministrit Edi Rama drejt Holandës për samitin e NATO-s. Sipas saj, Rama ka përdorur një avion privat charter të markës Gulfstream G IVSP VIP, i cili nuk është pronë e shtetit shqiptar, me një kosto që dyshohet të jetë deri në 7,500 dollarë për orë fluturimi.
Vangjeli kërkon sqarime lidhur me respektimin e kontratës së lidhur në janar 2020 midis Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare dhe Air Albania, që parashikon përdorimin e avionit Airbus A319 për fluturimet e kryeministrit. Sipas saj, avioni me të cilin Rama ka udhëtuar në Hagë është ndryshe nga ai i përcaktuar në marrëveshje.
Në deklaratë, ajo kërkon publikimin e faturave dhe vlerën totale të shpenzimeve të kryeministrit për charterët, si dhe shpjegime për pagesat e pakta që rezultojnë në databazën e thesarit për kompaninë Air Albania.
Gjithashtu, Vangjeli thekson se SPAK është në dijeni të shpenzimeve prej rreth 21 milionë eurosh për charterët e kryeministrit, por deri tani nuk ka ndërmarrë asnjë veprim.
“Shqipëria nuk mund të ecë përpara me standarde të dyfishta dhe abuzime të pandëshkuara”, përfundon ajo, duke ftuar mediat, opinionin publik dhe institucionet e drejtësisë të kërkojnë përgjegjësi të plotë.
Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:
Kryeministri shqiptar Edi Rama ka udhëtuar disa ditë më parë drejt Holandës për të marrë pjesë në samitin e NATO-s, duke zbritur në aeroportin Schiphol në Hagë me një avion charter të markës Gulfstream G IVSP VIP, me numër regjistrimi TC-EMR (sipas pamjeve të publikuara nga mediat).
Ky avion nuk është në pronësi të shtetit shqiptar dhe, dyshohet të jetë marrë me qira me një kosto që varion nga 6,500 deri në 7,500 dollarë për orë fluturimi, duke përfshirë karburantin, ekuipazhin, shërbimin VIP dhe udhëtimin privat. Avioni “TC EMR” është i njohur ndërkombëtarisht për fluturimet luksoze dhe përdoret nga klientë të nivelit të lartë.
Në 30 Janar 2020 Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare ka lidhur një marrëveshje bashkëpunimi me Air Albania me objekt ofrimin e shërbimit të fluturimeve të posacme charter për KM e RSH.
Sipas pikës 3.1.6 të kësaj akt-marrëveshjeje Air Albania do të vendosë në dispozicion të DSHQ mjetin
Avion Air craft Airbus A319
Kapacitet mbartës 32 persona
Kodi i rregjistrimit TC -ANA
Vitet e përdorimit 20
Pagesat variojnë sipas destinacionit dhe sipas pikës pikës 3.2.4 , DSHQ merr përsipër pagimin e faturës tatimore lëshuar nga Air Albania.
Sipas mediave, e pyetur nga BIRN, Agjencia për Media dhe Informim deklaroi se: “Kryeministria nuk ka paguar ndonjëherë dhe nuk paguan për chartera, por ka një marrëveshje kuadër me kompaninë Air Albania, në një shumë vjetore mesatare të shpenzimeve vjetore të kryeministrit në vitet paraardhëse”.
Qytetarët shqiptarë në fakt meritojnë përgjigje të qarta lidhur me:
- A është zbatuar pika 3.2.6 e akt marrëveshjes së lidhur ndërmjet Air Albania dhe DSHQ, duke qenë se avioni me të cilin KM fluturoi në Hagë është i ndryshëm nga ai i përcaktuar në aktmarrëveshje, dhe nëse po, kërkojmë të publikohet dakortësimi me shkrim i Air Albania
- Sa është vlera e fluturimit të udhëtimit të KM në Hagë sipas faturës tatimore respektive lëshuar nga ofruesi i shërbimit?
- Sa është çmimi i paguar deri tani nga DSHQ për udhëtimet charter të KM?
- Duke qenë se në thesar nuk gjejmë fatura të ekzekutuara sipas nominimit akt marrëveshjes dt 30 Janar 2020, si është procedurar me pagesat në favor të ofruesit të shërbimit Air Albania, i cili sipas data bazës së spending data nga thesari që prej v.2019 deri tani, rezulton të ketë përfituar vetëm 200 mijë lek për udhëtime.
Kujtojmë se SPAK-ut është me dije, lidhur me shpenzimet për udhëtime me charter të KM – në një total prej rreth 21 milionë eurosh – por organi i akuzës vijon të heshtë.
Shqipëria nuk mund të ecë përpara me standarde të dyfishta dhe abuzime të pandëshkuara.
Ftojmë mediat, opinionin publik dhe institucionet e drejtësisë të trajtojnë me seriozitet këtë çështje dhe të kërkojnë përgjegjësi të plotë.