SHBA ka ndaluar dërgimin e ndihmave me armë që i ishin premtuar Ukrainës. Kjo tregon se Trumpi vazhdon të jetë më i afërt me qëndrimet e Putinit në çështjen e luftës në Ukrainë.
Departamenti amerikan i Mbrojtjes ka konfirmuar se Ukraina duhet të presë një ndalim të të gjitha dërgesave të armëve amerikane – përfshirë ato të premtuara nga ish-Presidenti Joe Biden. “Nuk mund të jap detaje se cilat dërgesa armësh janë pezulluar”, tha zëdhënësi i Pentagonit Sean Parnell, por shtoi: “Për katër vjet nën administratën e Biden, ne dhamë armë dhe municione pa marrë parasysh se sa kemi ende vetë”.
Një rishikim gjithëpërfshirës është duke u bërë tani. Parimi është: “Amerika e para”, tha zëdhënësi i Pentagonit. Sipas tij, presidenti Trump u zgjodh “për të vënë Amerikën të parën”.
Ndërprerja e ndihmave ushtarake?
Vetë Donald Trump foli për një takim “shumë të mirë” me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në samitin e NATO-s në Hagë javën e kaluar. Megjithatë, në lidhje me raketat kundërajrore “Patriot”, për të cilat Ukraina ka nevojë urgjente, Trump theksoi: “Ato janë shumë të vështira për t’u siguruar. Edhe ne kemi nevojë për to.” Sistemet “Patriot” janë veçanërisht të rëndësishme për Ukrainën për t’u mbrojtur nga sulmet ajrore ruse.
A do të thotë kjo se ndihma amerikane për Ukrainën po merr fund? Max Bergmann, ekspert për Evropën në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) në Uashington, thotë: Po, ekziston një rrezik i tillë.
Ukraina nuk ka më prioritet për SHBA-në
“Është e qartë se administrata e presidentit Trump nuk do të kërkojë asnjë ndihmë të re nga Kongresi. Ukraina nuk është më prioritet i kësaj administrate”, tha politologu. E vetmja pyetje që mbetet është se kur do të skadojë ndihma e miratuar nga administrata e Biden – dhe nëse SHBA-ja do të vazhdojë të ndajë informacione sekrete me Ukrainën.
“Administrata Trump nuk ka interes të përfshihet shumë thellë në këtë luftë”, thotë Bergmann. Trump u përpoq të fillojë negociatat e paqes, por kjo nuk ka pasur shumë efekt deri tani.
“Ne kemi një president që nuk dëshiron marrëdhënie armiqësore me Rusinë, që nuk e sheh Rusinë ashtu siç e shohin partnerët evropianë të NATO-s, por që dëshiron një marrëdhënie të mirë me Rusinë”, thotë ai.
Reduktimi i ndihmave
Për Ukrainën është i hidhur fundi i parashikueshëm i ndihmës amerikane me armë. Por e hidhur është edhe ulja drastike e ndihmës amerikane për zhvillim. Që nga pushtimi rus në shkurt 2022, Ukraina ka qenë përfituesja më e madhe e fondeve nga agjencia e ndihmës për zhvillim USAID.
Nga kjo ndihmë janë financuar edhe pagat e punonjësve të shpëtimit dhe mësuesve ukrainas. Është mbështetur edhe puna e medias lokale ukrainase si dhe pastrimi i minave në zonat e rimarra nga Rusia.
Administrata Trump ka mbyllur agjencinë e ndihmës për zhvillim dhe vetëm mjetet e mbetura janë tani nën mbikëqyrjen e Departamentit të Shtetit. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, ndihma për zhvillim e SHBA-së për Ukrainën arriti në pak më pak se 4.3 miliardë dollarë dhjetorin e kaluar.
Ndërsa deri në mars ajo u zvogëlua në më pak se 1.3 miliardë dollarë. Trendi i zvogëlimit po vazhdon.
A mund të mbyllet hendeku?
Pyetja mbetet nëse Evropa mund t’i mbyllë të gjitha këto hendeqe – ose, siç e thotë shkencëtari politik Bergmann: “A do të jetë Gjermania në gjendje të mbulojë kostot?” Përgjigja e shumicës së ekspertëve – të paktën në afat të shkurtër dhe të mesëm – shumë vështirë!/ DW