Shqipëria synon që deri në fund të kësaj dekade të reduktojë ndjeshëm përdorimin e parasë fizike, duke kaluar drejt një ekonomie ku shumica e pagesave dhe transaksioneve financiare të kryhen në mënyrë digjitale. Objektivi është që deri në vitin 2030 mbi 50% e pagesave në vend të mos realizohen më me cash.
Kryeministri Edi Rama është shprehur më herët se një Shqipëri “cashless” është plotësisht e realizueshme dhe do të çlironte vendin nga një barrë e rëndë e informalitetit dhe kostove që shoqërojnë qarkullimin e parasë fizike. Megjithatë, realiteti aktual mbetet larg këtij synimi, pasi shumica e qytetarëve dhe bizneseve vijojnë të përdorin paranë në dorë për blerje dhe shërbime.
Sipas të dhënave të sektorit bankar, pavarësisht rritjes së pagesave elektronike vitet e fundit, Shqipëria mbetet ndër ekonomitë më të varura nga cash-i. Vlerësohet se mbi 400 miliardë lekë qarkullojnë jashtë sistemit bankar, ndërsa ekonomia informale përbën rreth 30–40% të aktivitetit ekonomik.
Për të përshpejtuar kalimin drejt pagesave digjitale, Ministria e Financave ka hartuar një plan me 12 masa konkrete, të ndara në tre shtylla kryesore: nxitjen e pagesave elektronike, përmirësimin e infrastrukturës dhe uljen e kostove, si dhe edukimin financiar të qytetarëve.
Ndër masat e parashikuara përfshihet vendosja e kufirit të pagesave cash për individët në 500 mijë lekë, ulja e tavanit të pagesave cash për bizneset në 100 mijë lekë, detyrimi ligjor për pajisjen me POS të tregtarëve dhe institucioneve publike, si dhe eliminimi i pagesave cash në transaksionet qeveritare.
Paralelisht, po punohet për zbatimin e sistemit kombëtar të pagesave të menjëhershme (instant payment), që do t’u mundësojë qytetarëve të kryejnë pagesa përmes QR Code nga telefoni, me kosto zero dhe me kalim të fondeve brenda pak sekondash. Ky sistem pritet të vihet në funksion gjatë vitit 2026.
Hapa të rëndësishëm janë ndërmarrë edhe në drejtim të integrimit ndërkombëtar, me përfshirjen e Shqipërisë në sistemin SEPA, që ka ulur ndjeshëm kostot e transfertave bankare nga dhe drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Megjithatë, sfidat mbeten të mëdha. Kostot e përdorimit të POS-eve për bizneset, niveli i ulët i edukimit financiar, mbulimi i kufizuar i infrastrukturës dhe rezistenca kulturore ndaj heqjes dorë nga paraja fizike janë pengesa kryesore në rrugën drejt një ekonomie pa cash.
Autoritetet pranojnë se eliminimi total i parasë fizike nuk është objektiv, por synimi është që ajo të mos jetë më mjeti mbizotërues i pagesës. Në këtë kuadër, Shqipëria synon të ndjekë modelin e vendeve nordike, ku pagesat elektronike kanë zëvendësuar pothuajse plotësisht paranë në dorë.



