Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se çështja e pjesëmarrjes së Partisë Demokratike në parlamentin e ri do të vendoset nga forumet e partisë, duke shmangur një përgjigje të prerë për qëndrimin që do mbajë opozita në raport me institucionin legjislativ.
“Gjithçka do të vendoset nga forumet. Nuk ka asnjë vendim individual, çdo hap do të përcaktohet nga organet drejtuese të Partisë Demokratike,” u shpreh Berisha.
Deklarata vjen në një moment kur opozita po kalon një nga krizat më të mëdha të përfaqësimit, pas zgjedhjeve të 11 majit, të cilat ajo i ka cilësuar të manipuluara dhe të diktuara nga patronazhistët e administratës.
Berisha nuk përjashtoi asnjë skenar, ndërsa nënvizoi se qëndrimi i PD do të reflektojë vullnetin e strukturave dhe jo të individëve.
Për Partinë Demokratike, pjesëmarrja apo bojkotimi i punimeve parlamentare mbetet një vendim strategjik që mund të ndikojë drejtpërdrejt në aksionin opozitar në muajt në vijim.