Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e cilësoi situatën e tij aktuale si “absurde”, duke e krahasuar me një “roman të Kafkës”.
Në seancën e sotme në Gjykatën Kushtetuese, Veliaj tha se ndodhet në një gjendje paradoksale, ku një pjesë e shtetit e mban në Durrës, ndërsa një tjetër e pyet pse nuk ndodhet në Tiranë.
“Përgjigja e ndershme do ishte kjo: për shpirt do doja të isha në zyrë, jo në burg me delegim. Një strukturë e shtetit më mban në Durrës, një strukturë tjetër më thotë pse nuk je në Tiranë,” – tha Veliaj.
Ai iu referua raportit të Komisionit të Venecias, duke theksuar se masat ndaj kryetarëve të bashkive duhet të merren me kujdes, pasi nuk prekin vetëm të drejtat individuale, por edhe ato të qytetarëve që përfaqësojnë.
“Nuk janë vetëm të drejtat e individit që po shkelën, por edhe ato të qytetarëve. Sot gjendem në një absurditet, në një roman të Kafkës,” – shtoi kryebashkiaku i Tiranës.
Deklaratat e Veliajt erdhën gjatë shqyrtimit në Gjykatën Kushtetuese të çështjes së pezullimit të zgjedhjeve në Tiranë dhe vendimmarrjes për kompetencat e institucioneve përkatëse.



 
                                    